75 Mall Live Search
20:17 / E Mërkurë, 25 Qershor 2025 / S Z

ZKA evidenton parregullësi, QKUK paguan 137 mijë euro më shumë për kujdestaritë e së premtes, u paguan 150% në vend të 20%

Zyra e Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, për vitin 2024, ku ndër gjetjet është identifikuar edhe kalkulimi jo i duhur i shtesave të kujdestarive për ditën e premte.

Kompensimi për kujdestari, sipas ligjit dhe rregullores që rregullon këtë çështje, parasheh që të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë 20% në orë për kujdestari, por në QKUK shtesat janë llogaritur me 150%.

Sipas raportit, bazuar në të dhënat e siguruara, shtesat për kujdestaritë e ditës së premte, si dhe për kujdestaritë gjatë fundjavës janë kalkuluar gabim dhe për pasojë është realizuar pagesa prej 30% më shumë se sa duhej.

Kësisoj, vetëm në QKUK është krijuar shpenzim financiar shtesë prej 137 mijë e 368 euro.

Një praktikë e tillë, është identifikuar edhe në Spitalet në Vushtrri dhe në Prizren, por për shkak të mungesës së të dhënave të plota, nuk ka qenë e mundur të bëhet një vlerësim i saktë i efektit financiar të këtij kalkulimi në institucionet e tjera shëndetësore”.

Pra, llogaritja e shtesës për kujdestarinë, e cila nuk ka qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi, ka rezultuar me një rritje prej 30% të shumës së caktuar, duke shkaktuar shpenzime financiare më të larta se sa është planifikuar.

ZKA ka deklaruar se kjo ka ndodhur si rezultat i mos harmonizimit të kalkulimit pas ndryshimeve të kornizës ligjore lidhur me kompensimin e kujdestarive.