ZKA-ja auditon menaxhimin e fondeve për burimet e ripërtëritshme të energjisë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka filluar auditimin e performancës me temën “Menaxhimi i fondit për burimet e ripërtëritshme të energjisë”, i cili është pjesë e planit vjetor të auditimit për periudhën 2024/2025.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se auditimi ka në fushëveprim Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ministrinë e Ekonomisë (ME) si dhe synon të vlerësojë efikasitetin e menaxhimit, monitorimit dhe zbatimit të masave për prodhimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
“Kosova si nënshkruese e Traktatit për komunitetin e energjisë ka vendosur objektiva për rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe ka krijuar skema mbështetëse për investime në këtë fushë. Megjithatë, ka sfida lidhur me funksionimin dhe efektivitetin e këtyre skemave”.
“Prandaj përmes këtij auditimi, ZKA-ja synon të vlerësojë rolet dhe performancën e institucioneve përgjegjëse në zbatimin e detyrimeve dhe politikave, integrimin e energjisë së ripërtëritshme në sistem dhe zhvillimin e një tregu transparent e të qëndrueshëm. Ky auditim ka për qëllim të kontribuojë në përmirësimin e menaxhimit të resurseve energjetike dhe përmbushjen e objektivave strategjike të vendit në këtë fushë”, thuhet në njoftim.
Ndër tjera, shtohet se Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar për të siguruar që pasuritë natyrore të menaxhohen në mënyrë transparente dhe efektive.