75 Mall Live Search
21:20 / E Martë, 10 Qershor 2025 / MSH

ZKA-ja i reagon RTK-së dhe disa mediave, për publikimin e raportit për Prishtinën

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka reaguar RTK-së dhe disa mediave të tjera për publikimin e raportit të auditimit për komunën e Prishtinës, pasi siç thuhet në reagim ‘publikimi i këtij dokumenti  nuk është autorizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit”.

Mediat dje publikuan një raport të auditimit për komunën e Prishtinës ku ishin renditur shumë të gjetura në menaxhimin financiar të kësaj komune.

Por, ZKA përmes një reagimi publik ka thënë se publikimi i parakohshëm i raportit të auditimit dhe ende pa u miratuar nga Auditorja e Përgjithshme mund të dëmtojë procesin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional që ZKA-ja gëzon me institucionet që janë subjekt i auditimit si dhe të çojë në interpretime të pjesshme apo të pasakta për publikun.

“Si medium publik RTK-ja do të duhej të respektonte mandatin kushtetues dhe ligjor të ZKA-së.  Respektimi i tyre i mundëson ZKA-së të punojë në pajtim të plotë me kërkesat ligjore si dhe Standardet Ndërkombëtare të Auditimit dhe të shmang çdo keqinformim eventual të publikut në lidhje me rezultatet e auditimit të jashtëm të institucioneve publike’ thuhet në reagimin e ZKA-së.

Kujtojmë që transmetuesi publik aktualisht udhëhiqet nga Hysen Hundozi, në cilësinë e ushtruesit të detyrës. Portalet ‘Reporteri’ dhe ‘Nacionale’ kanë raportuar se ai po udhëheq me këtë institucion pa ndonjë vendim zyrtar për të ushtruar këtë detyrë. Hundozi madje gjatë kësaj periudhe ka angazhuar si ‘këshilltar’ Fadil Hoxhën, mikun e tij sindikalist.

Një reagim të ZKA-së para 3 vjetëve ndaj përfshirjes së ZKA-së në një vendim nga ana ish drejtorit të përgjithshëm, Fadil Hoxha e kishte cilësuar skandal dhe kërkonte të ndërmerren masa, ndërkaq tani që është emëruar në mënyrë kontradiktore në ekipin udhëheqës të RTK-së, Hoxha ka vendosur të hesht.