75 Mall Live Search
16:09 / E Martë, 01 Prill 2025 / MSH

ZKA-ja nis auditimin e platformës e-Kosova

Zyra Kombëtare e Auditimit ka filluar auditimin e teknologjisë së informacionit me temën “Platforma e shërbimeve online e-Kosova”, që është pjesë e Planit Vjetor të Auditimit për periudhën 2024/2025.

Përmes këtij auditimi, ZKA-ja synon të vlerësojë nëse platforma e-Kosova iu ofron qytetarëve shërbime elektronike efikase, të sakta, të sigurta dhe të besueshme.   

Fushëveprimi i auditimit përfshinë Agjencinë për Shoqërinë e Informacionit (AShI), e cila administron dhe menaxhon platformën e-Kosova, si dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, me departamentet për Tatimin në Pronë dhe Menaxhimin e Skemave Sociale, të cilat ofrojnë shërbime përkatëse përmes platformës.

e-Kosova është një prej sistemeve më të rëndësishme digjitale shtetërore, që ka për qëllim të modernizojë administratën publike, duke zvogëluar varësinë nga sportelet fizike dhe duke rritur transparencën e institucioneve. Pavarësisht progresit në digjitalizimin e shërbimeve, siguria e informacionit dhe integriteti i të dhënave mbeten thelbësore për besimin e qytetarëve në platformën e-Kosova.

Prandaj auditimi do të vlerësojë kontrollet e aplikacionit dhe masat e sigurisë së informacionit nëse platforma ofron mbrojtje adekuate dhe garanton funksionalitet.