75 Mall Live Search
13:32 / E Premte, 21 Qershor 2024 / S Z

ZKA: Menaxhimi i shërbimeve shëndetësore të kontraktuara nga institucionet në disa raste joefikas e jotransparent

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Efektiviteti dhe efikasiteti i kontraktimit të shërbimeve shëndetësore dhe sociale nga institucionet e Republikës së Kosovës” për periudhën 2018-2022.

Përmes këtij raporti, ZKA ka gjetur se menaxhimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale të kontraktuara nga institucionet publike nuk ishte efikas dhe në disa raste as efektiv e transparent.

ZKA ka audituar performancën e institucioneve sa i përket efikasitetit dhe efektivitetit të kontraktimit të shërbimeve shëndetësore dhe sociale gjatë periudhës 2018-2022. Për blerjen e këtyre shërbimeve shëndetësore janë shpenzuar mbi 14.5 milionë euro, ku nga qeverisja lokale janë shpenzuar mbi 14 milionë ose 97% ndërsa nga qeverisja qendrore janë shpenzuar rreth 400 mijë euro ose 3%.

Rezultatet e auditimit kanë treguar se shërbimet shëndetësore dhe sociale shtesë ishin të nevojshme për t’u kontraktuar gjatë periudhës së pandemisë apo edhe për arsye të mosaprovimit të numrit të stafit shtesë si dhe rritjes së popullsisë në komunat e audituara si: Prizreni, Ferizaj, Fushë Kosova, Shtimja dhe Obiliqi.

“Megjithatë ky proces është përcjellë me mangësi të shumta si: mosvlerësimi real i nevojave, përdorimi i procedurave të ndryshme pa një bazë të qëndrueshme se cila është procedura e duhur për këto shërbime, nënshkrimi i marrëveshjeve të drejtpërdrejta pa siguruar transparencë si dhe mos menaxhimi i kontratave, për rrjedhojë shërbimet shëndetësore nuk kanë arritur efikasitetin dhe efektivitetin e duhur”, thuhet në raportin e ZKA-së.

ZKA ka thënë se menaxhimi joefikas i shërbimeve të kontraktuara, ka rezultuar me mospërputhje mes sasive të kontraktuara dhe nevojave reale, duke çuar në një disproporcion në ofrimin e shërbimeve ndërmjet stafit të rregullt dhe atyre të angazhuar përmes Organizatës Joqeveritare Caritas Kosova.

Me mangësi është përcjellë edhe pjesa e menaxhimit dhe monitorimit për pranimin e shërbimeve të pritura.

“Auditimi evidentoi mangësi të konsiderueshme në praktikat e menaxhimit të kontratave, ku mungonin raportet e pavarura nga menaxherët e kontratave të emëruar nga komunat, duke e bërë të pamundur identifikimin e saktë të të gjitha shërbimeve të ofruara nga stafi i angazhuar përmes këtyre kontratave. Mos evidentimi i saktë i shërbimeve nuk ofron siguri që shërbimet e paguara janë pranuar”, thuhet tutje në raport.

Rezultatet e auditimit tregojnë se shërbimet shëndetësore të kontraktuara nuk ishin të koordinuara dhe transparente.

“Mungesa e koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal ka krijuar financim të dyfishtë të shërbimeve duke rezultuar në joefikasitet buxhetor”.

Raportin e plotë “Efektiviteti dhe efikasiteti i kontraktimit të shërbimeve shëndetësore dhe sociale nga Institucionet e Republikës së Kosovës” e gjeni këtu.