21:55 / E Premte, 25 Nëntor 2022 / MSH

Zogaj shpalos projektet e Prishtinës në Forumin Ekonomik të Qyteteve të Mençura

Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Qyteteve të Mençuratë Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Në këtë forum, Zogaj ka falendëruar Bashkimin Evropian për ndihmën që po i ofron Kosovës në fusha të ndryshme, dhe në të njëjtën kohë ka përmendur edhe përparimet e Kosovës në shumë dikastere.

“BE-ja, si shtetet anëtare ashtu edhe institucionet e saj, luajtën dhe po vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në rindërtimin dhe zhvillimin e vendit tonë, Kosovës.

BE-ja është deri më tani donatori i vetëm më i madh që ofron ndihmë për Kosovën që nga viti 1999 dhe gjithashtu në rajonet e Ballkanit.

BE-ja ka investuar në vendin tonë më shumë se 1.5 miliardë euro në rindërtim, reformë të administratës publike, sundim të ligjit, reforma të qëndrueshme ekonomike, arsim, bujqësi, zhvillime sociale, media dhe shumë fusha kyçe në Kosovë dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë” tha Zogaj në fjalimin e tij, përcjell Indeksonline.

Ai tutje përmendi përfitimet nga fondet e IPA-s dhe në kuadër të MSA-së, të cilat kanë ndihmuar Kosovën dhe Prishtinën në implementimin e shum projekteve me rëndësi.

Zogaj përmendi implementimin e projekteve që janë duke u implementuar me EBRD-në dhe EIB-në, e që synojnë të prodhojnë energji efiçiente, si për Prishtinën, ashtu edhe për distriktin e saj.

“Qyteti im, Prishtina, por edhe Kosova, përfiton nga shumë instrumente. Gjithashtu ne kemi një marrëdhënie të veçantë me institucionet financiare në BE” shtoi Zogaj.

Ai tha se po diskutohen mundësitë e futjes së Prishtinës në projektet e rigjenerimit urban, sidomos pas krizës energjetike si dhe menagjimit të ndotjes së ajrit.

“Prishtina e gjelbër, Prishtina e mençur, dhe Prishtina e eksperiencave” ishte motoja e Zogajt në këtë takim./Indeksonline/