75 Mall Live Search
10:15 / E Hënë, 27 Tetor 2025 / Z S

“Zonja e parë është burrë”, 10 persona dalin në gjyq në Paris për ngacmim seksual të Brigitte Macron-it

Dhjetë të pandehur, tetë burra dhe dy gra, të moshës 41 deri në 60 vjeç akuzohen për ngacmim online të Brigitte Macron-it dhe përballen me deri në dy vjet burgim nëse shpallen fajtorë.

Disa të pandehur në gjyqin e Parisit ndan përmbajtje nga ky influencues amerikan.

Në një postim, njëri prej tyre pretendoi se “2,000 njerëz janë gati të shkojnë derë më derë në Amiens”, qyteti i lindjes së çiftit presidencial “për të zbuluar të vërtetën rreth Brigitte”-s.

Sipas prokurorëve, të pandehurit postuan komente të shumta keqdashëse në lidhje me gjininë dhe seksualitetin e zonjës së parë, me disa që e lidhën ndryshimin e moshës së tyre me “pedofilinë”.

Brigitte Macron ngriti një padi penale në gusht 2024, pas së cilës nisën hetime dhe arrestime në dhjetor 2024 dhe shkurt 2025. Avokati i saj nuk iu përgjigj pyetjeve të AFP-së dhe nuk dihet nëse vetë zonja e parë do të paraqitet në seancat dëgjimore.

Midis të pandehurve është Aurelien Poirson-Atlan, një eksperte marketingu 41-vjeçare e njohur në mediat sociale me pseudonimin Zoe Sagan, e cila shpesh shoqërohet me qarqe teoricienësh konspiracioni.

Gjithashtu e akuzuar është Delphine J., 51 vjeç, që njihet me emrin Amandine Roy në internet. Në vitin 2021, ajo publikoi një intervistë katër orëshe me “gazetaren e pavarur” Natacha Rey në kanalin e saj në YouTube, në të cilën ajo pretendoi se Brigitte Macron, e lindur Trogneux, është në të vërtetë “Jean-Michel Trogneux”, që është emri i vëllait të saj.

Dy gratë u urdhëruan të paguanin dëmshpërblim për Brigitte Macron dhe vëllain e saj në vitin 2024, por vendimi u rrëzua më vonë në apel. Zonja e Parë që atëherë e ka referuar çështjen në Gjykatën Supreme Franceze.

Teoritë rreth lindjes së supozuar të Brigitte Macron si burrë dolën gjatë fushatës presidenciale të Macron në vitin 2017 dhe vitet e fundit janë përhapur nga qarqet e ekstremit të djathtë dhe ato konspirative në Francë dhe SHBA, ku të drejtat transgjinore janë bërë një nga çështjet kryesore socio-politike.

Në korrik, çifti presidencial ngriti një padi për shpifje në SHBA kundër prezantueses konservatore Candace Owens, e cila prodhoi një serial të quajtur “Becoming Brigitte” dhe pretendoi se zonja e parë kishte lindur burrë.

Avokati i tyre amerikan tha se Macron do t’i paraqesë gjykatës prova shkencore dhe fotografi që i hedhin poshtë këto pretendime.