75 Mall Live Search
14:10 / E Hënë, 05 Korrik 2021 / OSH

Zoran Vukotiq dënohet për kryerjen e krimit të dhunës seksuale, gjatë luftës në Kosovë

Sot, është dënuar Zoran Vukotiq me 10 vjet burgim, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga Gjykatat vendore.

Qendra Kosova për Rehabilitimin e të Mbijetuarve dhe Torturës ishte inicuese e rastit duke bashkëpunuar me Prokurorinë Speciale dhe viktimën.

“Sot, triumfoi drejtësia, jo vetëm për viktimën në fjalë, por për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë. Përmes këtij momentumi të ri, të mbijetuarve do t’u kthehet shpresa për drejtësi, pa të cilën assesi nuk do të ndihen të qetë.

Megjithëkëtë, QKRMT konsideron që dënimi prej 10 vjetësh është i ulët, dhe do të angazhohet në të gjitha hallkat e drejtësisë që Zoran Vukotiq të marrë dënimin maksimal.
Në Kosovës, përkundër përhapjes dhe natyrës sistematike të dhunës seksuale gjatë luftës, kryesit fatkeqësisht mbeten në liri. Mungesa e përkushtimit dhe natyra komplekse e rasteve ka bërë të pamundur që më shumë të dyshuar për përgjegjësi penale për dhunim seksual dhe krime tjera seksuale të kryera në Kosovë të vihen para drejtësisë, çka ka krijuar bazë për pandëshkueshmërinë e kryesve.

Dhunimi dhe krimet tjera seksuale gjatë luftës nuk ishin prioritet për Administratën e Përkohshme të
UNMIK-ut në Kosovë dhe EULEX-in. Policia hetimore dhe prokurorët e UNMIK-ut dështuan të hapin hetime efektive pas raportimeve te dhunimit dhe pranimit të dëshmive direkte nga të mbijetuarit. Ata gjithashtu dështuan në informim të mbijetuarve në lidhje me rrjedhën e hetimeve.

Ekziston një brengë e shtuar se faktet mund të jenë zhdukur përfshirë deklaratat e të mbijetuarve të bëra pranë administratës së UNMIK-ut të cilët nuk kanë marrë asnjë informatë në lidhje me rastet e tyre që
nga viti 2000. Si organizatë e cila për më shumë se dy dekada ofron mbështetje psiko-sociale për të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, QKRMT mandat parësor vazhdon ta ketë drejtësinë për të
gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale. Andaj, ftojmë institucionet relevante dhe mbarë shoqërinë që të bëjmë më shumë për arritjen e
drejtësisë për të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë” thuhet në reagimin e QKRMT-së./Indeksonline/