75 Mall Live Search
16:39 / E Premte, 02 Qershor 2023 / A. M.

ZPS ndaj mbrojtjes së Thaçit: Deklaratat e Pallaskës, sipas çdo standardi me vetëdije ishin të rreme ose mashtruese

Në kundërpërgjigjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ndaj përgjigjes së mbrojtjes së Hashim Thaçit ndaj Prokurorisë për “Kërkesë për kujdes ndaj z. Dastid Pallaska”, thuhet se standardi i sjelljes me vetëdije të rreme ose mashtruese është përmbushur.

“Asnjë nga arsyet e paraqitura nga mbrojtja e Thaçit nuk e ndryshon faktin se z. Pallaska bëri deklarata publike që sipas çdo standardi objektiv, me vetëdije ishin të rreme dhe/ose mashtruese. Në këto rrethana, dhënia e një paralajmërimi është një masë e përshtatshme që Paneli duhet të marrë”, thuhet në këtë përgjigje.

Përgjigja e ZPS-së vjen pasi mbrojtësi i Thaçit, avokati Gregory Kehoe përmes një kërkese, ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), për manipulim me prova. Po ashtu, aty theksohet se komentet publike të Pallaskës për gjyqin ndaj UÇK-së, Raportin e Martyt janë në linjë me ato të mbrojtjes dhe se themeli qëndron në keqinterpretimet e ZPS-së për komentet e Dastid Pallaskës.

Paraprakisht, në fillim të kësaj kundër-përgjigjeje thuhet se Prokuroria i përgjigjet mbrojtjes së Thaçit për dy çështje, raporton “Betimi për Drejtësi”.