16:57 / E Mërkurë, 11 Tetor 2023 / S Z

ZPS planifikon ndryshim të dëshmitarëve të javës së ardhshme në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Ka përfunduar në sesion privat seanca e së mërkurës në të cilën u dëgjua dëshmitari 30-të i Prokurorisë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në pjesën kur seanca ishte e hapur, prokurori i specializuar, Matt Halling njoftoi se po planifikojnë ndryshim të dëshmitarëve të javës së ardhshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se në fillim të përfundohet marrja e dëshmisë së dëshmitarëve që ishin llogaritur për këtë javë, e pastaj nëse është nevoja të vazhdohet me dëshmitarin rezervë me kodin 00208.

“Ka pasur shumë interes nga mbrojtja sa i takon dëshmitarëve të javës tjetër duke marrë parasysh vendimin 1851 dhe urdhrave që u dhanë sot paradite. Vetëm për procesverbal do t’iu them, do të iu çojmë edhe një postë elektronike. Ne po parashikojmë që të bëjmë një ndryshim të dëshmitarëve për javën e radhës. Si fillim të përfundojnë dëshmitarët që ishin llogaritur për këtë javë dhe dëshmitari i seancës së sotme dhe pastaj në qoftë se është nevoja të vijë dëshmitari rezervë 00208”, tha prokurori Halling.

Kjo gjë u konfirmua nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III dhe më pas u ftua dëshmitari i 30-të që ta japë dëshminë në seancë private.

Në fund të seancës, mbrojtja e Jakup Krasniqit e ka njoftuar trupin gjykues se klienti i tij do ta ndjek seancën e nesërme përmes video-lidhjes.

Seanca e nesërme, do të vazhdojë përsëri me dëshminë e dëshmitarit të 30-të.

Ish-pjesëtari i UÇK-së vazhdon dëshminë në seancë të mbyllur, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve