75 Mall Live Search
20:40 / E Enjte, 10 Korrik 2025 / Burim

ZRRE i jep licencë për tregti me energji kompanisë që e drejton vëllai i tij, arsyetohet shefi i stafit të Kurtit

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka licencuar për tregti me energji elektrike kompaninë “Management & Development Associates L.L.C.”, që e drejton vëllai i shefit të stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Luan Dalipi.

Vendimi ka nxitur reagime të shumta, duke ngritur dyshime për konflikt interesi dhe favorizim të afërmve të pushtetit.

Por, Dalipi ka reaguar duke i cilësuar akuzat si “trillime dhe insinuata dashakeqe të portaleve dhe politikanëve të opozitës”.

Prokuroria Speciale po heton tenderin njëburimor tre milionësh të Qeverisë Kurti për ndërtimin e urave mbi Ibër

“Po tentojnë të barazojnë Qeverinë Kurti me qeveritë e kaluara të kapura nga korrupsioni. Por qytetarët e dinë dallimin. Nuk jemi njësoj”, ka thënë ai.

Dalipi  thotë se licencat për tregtim me energji nuk janë të kufizuara dhe çdo kompani që i plotëson kushtet mund të licencohet. Ai thekson se tregtia me energji zhvillohet në sektorin privat dhe nuk ka lidhje me përfitime nga ndonjë ndikim politik.

“Nuk ka asnjë detyrim që ndonjë biznes të blejë energji nga ndonjë kompani e caktuar. Sa më shumë operatorë, aq më shumë konkurrencë dhe çmim më i ulët për konsumatorin”, ka shkruar Dalipi.

Dalipi pretendon se sulmet ndaj tij janë të motivuara politikisht dhe ndërlidhen me pakënaqësinë e disa mediave për shkak të ndërprerjes së kontratave njëburimore që, sipas tij, kanë qenë burim i të ardhurave të dyshimta në qeveritë e kaluara.

Ai publikoi edhe statistika që pretendojnë se qeveria Kurti ka shpenzuar shumë më pak në kontrata për media, krahasuar me AAK-në, PDK-në dhe LDK-në.

Në fund, Dalipi përmendi edhe përvojën e tij profesionale në Departamentin Amerikan të Tregtisë dhe në vetë kompaninë MDA, duke shtuar se “historia e tij është ndërtuar mbi punë të ndershme dhe integritet”.