75 Mall Live Search
12:41 / E Martë, 24 Qershor 2025 / S Z

ZRRE-ja thotë se nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka thënë të martën për Radion Evropa e Lirë se nuk e ka pezulluar vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

Kjo vjen pak orë pas një njoftimi të Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila bëri të ditur se ka pezulluar ekzekutimin e një njoftimi të ZRRE-së që ia ndalonte një kompanie të caktuar furnizimin me rrymë përmes shërbimit universal.

Oda Ekonomike e Kosovës reagoi ndaj vendimit të gjykatës duke thënë se ai pezullon njoftimin e rregullatorit të energjisë për dalje të detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Ajo i kërkoi ZRRE-së ta pezullojë njoftimin për daljen në tregun e lirë të energjisë dhe të ndalojë çdo “veprim që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e bizneseve”.

Por, rregullatori i energjisë sqaroi për REL-in se bëhet fjalë për një rast individual që ka të bëjë me një kompani të vetme, dhe jo me të gjitha bizneset.

Aktualisht, furnizues i shërbimit universal në Kosovë është KESCO.

Sipas vendimit të ZRRE-së, të gjitha bizneset e mëdha – ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – nga 1 qershori janë të detyruara të dalin në tregun e hapur, që do të thotë se duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e energjisë elektrike.

Ky vendim është kundërshtuar nga komuniteti i biznesit, me arsyetimin se kompanitë e licencuara për tregtim me energji po ofrojnë çmime shumë të larta.