75 Mall Live Search
15:34 / E Mërkurë, 30 Korrik 2025 / LB

ZRRE thirrje bizneseve: Lidhni kontratat, nga nesër ndërpritet energjia

Një ditë para se të përfundon afati për furnizim të përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit me energji elektrike, Zyra e Rregullatorit për Energji u ka bërë thirrje konsumatorëve komercialë që të jenë në treg të lirë pa vonesë, meqë siç kanë thënë ata, nga nesër pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht.

ZRRE-ja thotë se procesi i hapjes së tregut të energjisë elektrike është  në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, në mënyrë transparente dhe të paanshme, duke respektuar të gjitha standardet procedurale dhe materiale.

Thonë se ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet çdo ditë nga gjykatat kompetente, duke vërtetuar, sipas tyre, se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.

“Të gjithë konsumatorët komercialë që i kanë përmbushur kriteret për kalim në tregun e hapur, janë të obliguar të furnizohen nga një furnizues i licencuar. Furnizimi i përkohshëm përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF) përfundon sot më 30 korrik 2025, dhe periudha tranzitore e garantuar për furnizim prej 60 ditësh është e përcaktuar në ligj dhe nuk mund të zgjatet me vendime administrative”, thotë ZRRE.

Ky institucion u bën thirrje të gjithë  konsumatorëve komercialë që të jenë në treg të lirë.

 “Ata që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar, të publikuar në faqen zyrtare të institucionit, sepse nga data e nesërme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht”, thotë ZRRE-ja në thirrjen drejtuar konsumatorëve komercialë.

Tutje Rregullatori i Energjisë thotë se mbeten të  përkushtuar për të garantuar një treg te energjisë elektrike të drejtë, funksional dhe konkurrues, në shërbim të konsumatorëve dhe në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet evropiane.