ZRRE thotë se bizneset “i plotësojnë kriteret” për të gjetur e blerë rrymën vetë

Zyra e Rregullatorit për Energji thotë se bizneset që po përballen me probleme pasi kaluan në tregun e hapur të energjisë elektrike, “i plotësojnë kriteret ligjore” për të gjetur e blerë vetë rrymë.
ZRRE tha në një komunikatë për media se “ka të licencuar 23 kompani për aktivitetin e furnizimit me energji elektrike”.
“Aktualisht, në tregun e hapur të energjisë elektrike janë 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrik, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët”.
Komunikata e plotë e ZRRE-së:
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZrE) sqaron opinionin publik se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është një detyrim ligjor, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2016. Në atë kohë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në ligjet e sektorit të energjisë ka transpozuar direktivat Evropiane për energjinë, duke përcaktuar se duhet të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë elektrike. Pra, procesi i derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në ligjet e sektorit të energjisë derivon nga obligimet kontraktuale që ka Republika e Kosovës si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.
Duhet theksuar se nga viti 2017, ZRrE ka ndërmarrë të gjitha veprime ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, dhe në funksion të saj në vitin 2017 ka filluar procesin e derregullimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë, me daljen në treg të konsumatorëve industrial.
Megjithatë, zbatimi i mëtutjeshëm i procesit të liberalizimit të tregut të energjisë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme ka pasur vonesa, si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare. Pas kësaj, ZRrE ka vendosur që nga data 1 Qershor 2025 të vazhdoj zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, si detyrim ligjor dhe në të mirë të konsumatorëve fundor. Duhet theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për përafrimin me Direktivat Evropiane, por edhe sepse krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol.
ZRrE ka të licencuar 23 kompani për aktivitetin e furnizimit me energji elektrike. Aktualisht, në tregun e hapur të energjisë elektrike janë 23 kompani të licencuara për furnizim me energji elektrik, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët.
Sqarojmë opinionin publik se 9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret ligjore për të dalur në tregun e hapur të energjisë elektrike, ku prej tyre:
· 9,212 pika matëse (92%) janë duke u furnizuar me kontrata komerciale;
· 751 pika matëse (8%) ende janë pa furnizues.
Duhet theksuar se edhe këto pika matëse të cilët kanë mbetur pa furnizues, kanë qenë duke u furnizuar me energji elektrike që nga data 1 Qershor 2025, dhe se nga ajo periudhë kanë pasur mundësi të zgjedhin furnizuesin me energji elektrike dhe të nënshkruajnë kontratë.
Për të lehtësuar kalimin e konsumatorëve që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, ZRrE sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energji Elektrike, ka përcaktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë Fundit (FMF), dhe këta konsumator që deri më 1 Qershor 2025 nuk kishin lidhur ende kontrata komerciale, janë furnizuar përmes FMF për një periudhë gjashtëdhjetë (60) ditore.
Gjithashtu, duhet njoftuar se sipas dispozitave ligjore të Ligjit për Energjinë Elektrike, konsumatorët të cilët dështojnë të hyjnë në marrëveshje me një nga furnizuesit e licencuar, operatori i sistemit është i obliguar të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për ta.
ZRrE do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit dhe inkurajon të gjithë konsumatorët që i plotësojnë kriteret për të dal në treg të hapur, e të cilët ende nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale, sa më shpejt të lidhin kontratë me njërin nga furnizuesit e licencuar, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm.
ZRrE mbetet e përkushtuar të zbatojë këtë reformë në mënyrë transparente, të drejtë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane.