Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – dalja në zgjedhje mbi 60 për qind

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka njoftuar se deri në orën 15:00, në gjithë territorin e Kosovës kanë votuar 32 për qind apo 567.934 qytetarë me të drejtë vote.
Dalja më e madhe është shënuar në Komunën e Zubin Potokut, të Zveçanit dhe Leposaviqit me dalje mbi 60 për qind.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një konferencë për media tha se procesi i votimit është duke u zhvilluar normalisht dhe se nuk ka raportime për incidente që mund të dëmtojnë procesin zgjedhor.
Sipas të dhënave të KQZ-së, Daka ka bërë të ditur se në periudhën e njëjtë kohore, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, kanë votuar 29.28 për qind e qytetarëve me të drejtë vote apo 554.750 persona.
Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit kanë 1.794.862 qytetarë.