Zuckerberg përballet me gjyq prej 8 miliardë dollarësh për skandalin e privatësisë në Facebook

Një gjyq prej 8 miliardë dollarësh ndaj Mark Zuckerberg dhe udhëheqësve të tjerë të Meta-s ka nisur të mërkurën në Delaware, me akuza se kanë mbledhur në mënyrë të paligjshme të dhënat e përdoruesve të Facebook-ut, duke shkelur një marrëveshje të vitit 2012 me Komisionin Federal të Tregtisë (FTC).
Jeffrey Zients, shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe anëtar i bordit të Meta-s nga 2018, pritet të jetë ndër dëshmitarët e parë. Do të dëshmojnë edhe Zuckerberg, ish-COO Sheryl Sandberg, Peter Thiel, Reed Hastings dhe Marc Andreessen.
Padia nisi pas skandalit me Cambridge Analytica, që mori të dhënat e miliona përdoruesve për fushatën e Trump-it më 2016. Facebook u gjobit me 5 miliardë dollarë nga FTC.
Sipas CNN, aksionarët kërkojnë që Zuckerberg dhe të tjerët të mbulojnë dëmin financiar dhe e akuzojnë atë për përfitim personal nga shitja e aksioneve para rënies së çmimit pas skandalit.
Të paditurit i mohojnë akuzat dhe thonë se Facebook ka ndjekur këshilla të jashtme për të respektuar marrëveshjen. Meta nuk është palë në proces dhe nuk ka komentuar.
Ky është rasti i parë i këtij lloji që arrin në gjykatë në Delaware, ku dëshmohet për dështim të vetëdijshëm të mbikëqyrjes nga bordi. Vendimi pritet pas disa muajsh.