Zv.kryeministri Tahiri fton deputetët, që të veprojnë shpejtë për Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike

Zv.kryeministri Besnik Tahiri përmes një statusi në rrjetin social Facebook i është drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Me këtë rast Tahiri tha se duke e ditur se jemi në përballje e sipër me një vit sfidues, pandemia ka afektuar thuajse secilin dimension të jetës publike, sociale e qytetare.
Ai tha se për çdo gjendje sfiduese, aty ku ka konsensus politik në vendimmarrje, aty shoqëria, qytetarët, publiku e ndiejnë një siguri më të madhe, transmeton Indeksonline.
Tahiri tha se Projektligji për rimëkëmbje ekonomike s’është zgjidhje për të gjitha efektet negative, por se është forma më e mirë e rifreskimit ekonomik.
Postimi i plotë:
Të nderuar deputetë të Kuvendit,
Duke e ditur se jemi duke u përballur me një vit sfidues, pandemia ka afektuar pothuaj secilin dimension të jetës publike, sociale e qytetare. Si për çdo gjendje sfiduese, aty ku ka konsensus politik në vendimmarrje, aty shoqëria, qytetarët, publiku, e ndiejnë një siguri më të madhe.
Andaj nuk them se Projektligji per rimekembje ekonomike, është zgjidhje për të gjjtha efektet negative me te cilat po përballemi, mirëpo më duhet të theksoj se projeligji:
1. Është forma më e mirë e rifreskimit ekonomik;
2. Siguron mjete financiare, kur shumë operatorë ekonomikë janë në mungesë të tyre;
3. Rrit fuqinë blerëse, e me këtë mbështet edhe mirëqenien;
4.Përkrah disa dimensione të ndieshme, siç është ndërmarrësia;
5. Siguron vazhdimësi dhe qëndrueshmëri në realizimin e planeve, projekteve, e me këtë edhe një shteg për bizneset sektoriale, të cilat mund të dekurajohen dhe ulin caqet e tyre, duke ulur edhe performancën dhe përfshirjen.
6. Gjithashtu ky projektligj përkrah kategori të veçanta, të cilat janë të prekura skajshmërisht.
Pra, ju ftoj që sot të veprojmë shpejt, të përfshijmë propozimet, t’i harmonizojmë ato dhe të marrim vendime.
Jam i bindur se nëse nuk e bëjmë këtë shpejt dhe si duhet, pagat që i marim në kohë pandemie, do të mund të cilesohen si “dëm” ekonomik!
Faleminderit për vëmendjen tuaj!