75 Mall Live Search
12:49 / E Martë, 19 Maj 2020 / indeksADMonline

Zv/ministri “diss” partisë së Kurtit: LDK është ndryshe, respekton çfarëdo vendimi të Kushtetueses

Zëvendës-ministri i Drejtësisë dhe zyrtari i LDK-së, Florian Dushi ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës është institucion relativisht i ri dhe, sipas tij, si i tillë, ky institucion, deri më sot ka trajtuar e vendosur mjaftë raste, madje edhe nga ato të cilat konsiderohen si raste të ndjeshme politike.

Dushi ka deklaruar se LDK, gjithmonë, madje edhe kur kjo Gjykatë ka vendosur kundër liderëve të saj, përmes mendimeve e vendimeve për të cilat kishte mjaftë hapësirë për debat profesional, ka dhënë shembullin unik të respektimit të këtyre vendimeve pavarësisht interesave politike, transmeton Indeksonline

Indirekt, ai ka kritikuar partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen.

“LDK duke qenë parti shtet-formuese dhe institucionaliste ka vlerësuar se për Republikën e Kosovës, si shtet i ri, madje edhe i mbikëqyrur nga faktori ndërkombëtarë (një periudhë pas pavarësisë), është tejet me rëndësi që të ndërtojë një kulturë besimin e respekti ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve të saj.

Përndryshe, mosrespektimi i kësaj Gjykate dhe vendimeve të saj, sjellja eventuale në kundërshtim me vendimet e Gjykatës, paraqet qëndrim e sjellje të kundërt me synimet tona të proklamuara e të premtuara publikisht mbi ndërtimin e Kosovës si shtet të së drejtës!

Kështu, duke u nisur nga këto parime, LDK edhe sot, disa herë, guximshëm dhe qartë, ka deklaruar se do ta respektojë secilin vendim të Gjykatës Kushtetuese, ndryshe nga të tjera parti të cilat zhurmshëm kanë deklaruar se janë për shtetin e së drejtës, ndërsa sot deklarojnë se vendimin e Gjykatës Kushtetuese do ta pranojnë vetëm nëse është në favor të tyre, e paprecedent”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Kushtetuesja pritet që këtyre ditëve të jep vlerësim për dekretin e presidentit  rreth formimit të qeverisë së re./Indeksonline/