Zv/ministri Raka: Do të nis ndërtimi i Qendrës për autizëm, sindromë down dhe aftësi të kufizuara…!

Zëvendës ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka ka bërë të ditur se në mbledhjen e 218-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës u miratuan Propozim-Vendimin për miratimin e dhënies në shfrytëzim të pesë (5) zonave kadastrale në Graqanicë.


Sipas tij, kjo bëhet me qëllim të ndërtimit të Qendrës Rezidenciale të Kosovës për autizëm, sindromë down dhe aftësi të kufizuara për fëmijë, të rritur dhe të moshuar.
“Kjo nismë synon që të përmirësojë cilësinë e jetës dhe të ofrojë një mjedis të sigurt dhe stimulues për ata që kanë nevojë për kujdes të veçantë dhe mbështetje gjatë gjithë jetës së tyre. Ndërtimi i këtij kompleksi është një hap i rëndësishëm drejt integrimit dhe përkrahjes së të gjithë individëve në nevojë, gjithnjë duke kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë”, ka thënë ai. /Indeksonline/