Zveqan: Arrestohet një person i dyshuar për vjedhje – Pretendoi se gjësendet i mori si kompensim për borxh

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Vjedhje”, pas një rasti të raportuar një ditë më parë në Zveqan, transmeton IndeksOnline.
Rasti është raportuar më 14 prill 2025, rreth orës 18:45, në Stacionin Policor Zveqan, ku ankuesi kishte njoftuar se në shtëpinë e tij në ndërtim e sipër ishin vjedhur kabllo elektrike, tre kuti elektrike të metalta, dy bojlera, dy televizorë dhe gjësende të tjera.
Falë hetimeve intensive të zhvilluara nga sektori përkatës i hetimeve, Policia ka identifikuar dhe arrestuar më 15 prill 2025 të dyshuarin H.B., 41 vjeç.
Sipas Policisë, i dyshuari gjatë intervistimit ka pranuar veprën penale, duke deklaruar se gjësendet i kishte marrë si kompensim për një borxh prej 600 euro, që sipas tij, ia kishte ankuesi.
Të gjitha veprimet e ndërmarra janë koordinuar me Prokurorin e Shtetit, i cili pas intervistimit ka vendosur që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet nga organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës thekson se do të vazhdojë të ofrojë shërbime dhe siguri për të gjithë qytetarët, pa dallim dhe me përkushtim të plotë në zbatimin e ligjit./IndeksOnline/