13:15 / E Hënë, 14 Tetor 2019 / indeksADMonline

Zvicra, do t’i heqë qafe telefonatat e bezdisshme të sigurimeve shëndetësore

Një vlerësim i publikuar në mediat zvicerane tregon se sa para investojnë në emër të provizionit, (shpërblimi që u paguajnë ndërmjetësve) fondet e ndryshme të sigurimit shëndetësor në Zvicër. Fjala është për provizionet që bëhen për sigurimin bazik.

Në përgjithësi, provizionet që paguajnë firmat e sigurimit shëndetësor për të fituar klientë, janë në thumb të kritikës nga opinioni dhe nga shumë politikanë. Gazeta “Aargauer Zeitung” ka bërë një hulumtim, përmes të cilit prezanton shumat që fondet në fjalë japin në emër të provizionit për sigurimin bazik shëndetësor.

Në krye të listës së publikuar është, pa konkurrencë, kompania “Helsana”, trasmeton albinfo.ch. Kjo firmë sigurimesh shëndetësore gjatë vitit 2018 u ka paguar ndërmjetësve 11.7 milionë franga në emrin e provizionit.

Pas “Helsana”-s, në radhë vijnë: “Visdana” (7 milionë franga), “Sanitas” (5.3 milionë) dhe CSS (4.3 milionë). Të gjitha këto bëjnë pjesë në mesin e fondeve më të mëdha shëndetësore në vend. Por, “Helsana”, që është kompania e dytë më e madhe e kësaj fushe, jep dukshëm më tepër para për ndërmjestës në krahasim me kompaninë numër një për nga fuqia, CSS.

E përballur me konstatimin në fjalë, “Helsana” e relativizon vendin e parë në këtë listë, përcjell albinfo.ch. Sipas saj, shifrat e përdorura me këtë rast mundësojnë një hapësirë të madhe veprimi gjatë identifikimit të provizioneve. Për këtë arsye, krahasimi midis kompanive përkatëse duhet të merret me shumë rezervë, thotë një zëdhënës i Helsana-s. “Vlerësimet tona tregojnë se ne në asnjë mënyrë nuk paguajmë kompensimet më të mëdha për fitimin e klientëve të rinj”.

Por Zyra Federale e Shëndetësisë e thotë të kundërtën, me shifra, ndonëse pranon se sigurimi bazë dhe ai plotësues shpesh “shiten” së bashku. Me rastin e ndarjes së provizionit në këta dy sektorë, fondet shëndetësore kanë njëfarë hapësire të lirë veprimi.

“Helsana” thotë se duket pak e besueshme që firma të caktura të sigurimit, siç del nga kjo listë krahasuese, të mos paguajnë as provizione dhe as paga. Këtu e ka fjalën për fondin shëndetësor Konkordia, i cili, sipas shifrave të marra në Zyrën Federale të Shëndetësisë, del se nuk ka paguar fare në emër të provizionit. Por kjo kompani e ka vërtetuar gjendjen në fjalë: “Nuk u paguhet asnjë provizion për marrëveshjet e arritura në fushën e sigurimit shëndetësor bazë, as ndërmjetësuesve dhe as punëtorëve”, ka thënë një zëdhënëse e kompanisë.

Nga ana tjetër, “Sanitas”-i thekson se ajo, si firmë sigurimi, ka një model shpërndarjeje që ndryshon dukshëm nga konkurrenca. Kështu, “Sanitas”-i kryesisht heq dorë nga agjencitë e veta lokale. Nga ana tjetër, “Sanitas”-i punon së bashku me partnerët e vet afatgjatë të shpërndarjes. Për këtë arsye kostoja në listën e pëmendur ka rezultuar më e madhe se në arkat e tjera shëndetësore.

Ndërkohë, Këshilli Federal, me kërkesën e Parlamentit, është duke punuar drejt gjetjes së një zgjidhjeje sektoriale të çështjes së provizioneve, e cila do të ishte detyruese për të gjithë. Por, për diçka të tillë duhet të ndryshohet ligji, transmeton albinfo.ch. Ndërkaq federata e fondeve shëndetësore “Santesuisse” nuk dëshiron të presë derisa të bëhet një gjë e tillë. Presidenti i saj, Heinz Brandl, synon që marrëveshja vullnetare midis anëtarëve të federatës në fjalë të hyjë në fuqi në vjeshtën e ardhshme. Kjo, pasi që marrëveshja e përmendur synon t’i kufizojë provizionet dhe t’i ndalojë thirrjet e bezdisshme telefonike të callcenter-ve.