75 Mall Live Search
18:45 / E Martë, 05 Janar 2021 / Blerim

Zyberaj: AKR-ja është afër koalicionit parazgjedhor me LDK-në

Këshilltari i Behgjet Pacollit, njëherit anëtar i Aleancës Kosova e Re, Jetlir Zyberaj ka konfirmuar avancimin e bisedimeve mes AKR-së dhe LDK-së për koalicion parazgjedhor.

“Në fakt nuk ka përfunduar asgjë, Pacolli është duke zhvilluar negociata me kryetarin e LDK-së për një garë të mundshme së bashku”, ka thënë ai në emisionin “Imazh” të RTK-së.

Tutje ai tha se ende nuk është e definuar asgjë, por negociatat kanë avancuar dhe do të përmbyllën brenda dy ditësh.

“Kontakte kemi pasur edhe me partitë tjera, por më të avancuara janë me LDK-në edhe për shkak të afërsisë ideologjike që kemi me ta, por edhe për shkak të bashkëpunimit të mëhershëm”, shtoi Zyberaj.

Anëtari i AKR-së foli edhe për raportin me Nismën Socialdemokrate, ku tha se me këtë subjekt kanë pasur bashkëpunim në vitin 2019, që është përmbyllur në mënyrë korrekte, por që nuk e shohin të arsyeshme që të kenë koalicion në këto zgjedhje.

Në listën e LDK-së, AKR-ja sipas Zyberajt pritet të ketë rreth 15 kandidatë për deputet.