75 Mall Live Search
12:14 / E Martë, 23 Qershor 2020 / indeksADMonline

Zyberaj: Problemi Kosovë- Serbi zgjidhet me Ekonomi

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka thënë se gjithmonë kanë besuar se zgjidhja lidhur me problemet midis Kosovës dhe Serbisë nuk është politike, por ekonomike.

“Zoti Behgjet Pacolli në cilësinë e ministrit të Jashtëm por edhe të liderit politik partiak e ka parë zgjidhjen me Serbinë krejtësisht në rrafshin ekonomik”, ka thënë Zyberaj, transmeton IndeksOnline.

Ai ka thënë se ne politikisht nuk kemi çka t’i japim më Serbisë.

“Me dokumentin e Ahtisaarit ne kemi bërë kompromise politikë. Serbia ka arritur maksimumin në Kosove dhe çdo gjë tutje do të shkonte në dëm të Kosovës. Një zonë e lirë ekonomike, e cila do të formohej mes Serbisë dhe Kosovës do të ishte zgjidhja”, ka deklaruar ai.

Është mirë, sipas Zyberajt, që i dërguari presidencial amerikan, Richard Grenell, beson se opsionet ekonomike dhe një zonë ekonomike janë zgjidhjet për problemet me të cilat përballen Kosova dhe Serbia.

“Normalizimi përmes ekonomisë është rruga jonë e vetme përpara, për të krijuar vende pune, mundësi biznesi dhe prosperitet. Infrastrukturë më e mirë, marrëdhënie më të mira ekonomike dhe tregtia më e lehtë, janë rruga jonë përpara”, ka thënë ai.

Në fund ai thotë se kjo është mënyra se si Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet dhe të arrijnë njohje reciproke./IndeksOnline/