Zyrtare: Albin Krasniqi transferohet te skuadra ukrainase, do të luaj krah dy shqiptarëve

Mesfushori i njohur kosovar, Albin Krasniqi tashmë do ta vazhdojë karrierën jashtë Kosovës.
Krasniqi i është bashkuar Kolos Kovalivkas në Ukrainë, si transferim i lirë, duke qenë së fundmi pjesë e Prishtinës.
Albini te Kovalivka do ta gjejë edhe një “Krasniq” tjetër, Ilirin, i cili iu bashkua klubit vitin e kaluar nga Llapi.
Po ashtu pjesë e skuadrës ukrainase është edhe futbollisti shqiptar, Arinaldo Rrapaj.
Albin Krasniqi sezonin e kaluar arriti të shënojë gjashtë gola e të dhurojë katër asistime në të gjitha garat, duke e fituar Kupën e Kosovës me Prishtinën.
Në Superligën e Kosovës, Krasniqi ishte paraqitur edhe me Ferizajn e Dritën. Me këtë të fundit kishte luajtur edhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Konferencës.
Krasniqi ishte i ftuar edhe për një ndeshje miqësore te kombëtarja e Kosovës, atë ndaj Suedisë, që Kosova e humbiste 1-0.