17:14 / E Hënë, 08 Qershor 2020 / indeksADMonline

Zyrtare: Caktohen datat për afatin e transferimeve në Serie A

Këshilli i Federatës Italiane të Futbollit u mblodh sot dhe mori një sërë vendimesh të rëndësishme, kryesisht ato që lidhen me të ardhmen e sezonit 2019-2020, por edhe me datat e reja të merkatos.

Kështu synimi i parë është që prej 20 qershorit e deri në fund të muajit korrik, të zhvillohen të gjithë ndeshjet e mbetura të sezonit 2019-2020, për t’u dhënë në fushë verdiktet e tij si fituesi, skuadrat që do luajnë në Europë e ato që do bien një kategori më poshtë.

Megjithatë nëse plani A nuk do të realizohet me sukses për shkak të pandemisë Covid-19, atëherë u vendos që të kalohet në planin B, që parashikon zhvillimin e ndeshjeve të Play Off-it si për titullin kampion, ashtu edhe për Europën dhe rënien nga kategoria.

Sa u përket datave të reja të merkatos, u vendos që periudha e lejuar për të shtuar futbollistë të rinj në organikë dhe për të larguar të tjerë, do të jetë pikërisht prej datës 1 shtator dhe deri më 5 tetor.

Ky afat 45-ditor do të jetë edhe periudha për zyrtarizimin e lëvizjeve, ndërsa blerjet që mund të bëhen më herët se kjo periudhë, mund të regjistrohen si të tilla në Ligë, por ata futbollistë nuk mund të përdoren më herët se periudha e hapjes së merkatos.