ZYRTARE: Lirim Kastrati transferohet te Ujpest

Futbollisti i ri i Kombëtares së Kosovës, Lirim Kastrati ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me skuadrën e elitës së futbollit hungarez, Ujpest.
Futbollisti i rritur në akademinë e Romës, i cili së fundmi u paraqit në ekipin e të rinjve të Bolognas, u shpreh i lumtur për transferimin në futbollin hungarez.
“Shumë i lumtur të nënshkruaj me këtë klub të madh. Mezi po pres. Faleminderit shumë familjes time për mbështetjen dhe agjentin tim”, ka shkruar Lirimi në profilin e tij në Facebook.
Derisa në deklaratën e tij të dhënë për faqen zyrtare të klubit hungarez ai është shprehur: “Ndihem mirë që isha në gjendje të nënshkruaj me FC Újpest. Kjo është një gjë e shkëlqyeshme për mua, pasi deri tani kam luajtur në ekipet e të rinjve në Itali, prandaj jam shumë i lumtur që kam mundur të ndërmarrë këtë hap shumë të rëndësishëm drejt futbollit të të rriturve. Me sa shoh kam ardhur në një ekip të shkëlqyeshëm. Jam i sigurt se do të jemi në gjendje të arrijmë rezultate të mira me ekipin”.
Lirim Kastrati ka qenë pjesë e Dardanëve që nga koha e përzgjedhësit Albert Bunjaku, por në disa ndeshje është paraqitur me Kombëtaren U21.