19:05 / E Mërkurë, 27 Tetor 2021 / LB

Bashota konfirmon: PDK i ka ofruar marrëveshje LDK-së dhe VV-së në Klinë

Partia Demokratike e Kosovës po synon të rikthej pushtetin në komunën e Klinës.

Në këtë drejtim, PDK në këtë komunë tanimë i ka ofruar marrëveshje për bashkëpunim Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë për “Indeksonline”, e ka konfirmuar kryetari i degës së këtij subjekti në Klinë, Sokol Bashota.

“Ne i kemi ofru dy subjekteve politike marrëveshje për bashkëpunim, pra LDK-së dhe VV-së. Ende s’kemi marrë përgjigje, ata i kanë punët e tyre të brendshme deri sa të vendosin për opsionet e tyre. Të shohim.  Siç e dini NISMA është shkri në listën e PDK-së në këto zgjedhje dhe i kemi partnerë edhe më tutje”, ka thënë Bashota.

Nëse krijohet ky koalicion, ish kryetari i Klinës për disa mandate thotë se do të krijoheshin mundësi më së optimale për të rikthyer pushtetin e PDK-së në komunën e Klinës.

Sipas tij, krijimi i partneriteteve në këtë fazë do të ketë ndikim të madh në balotazh.

Qytetarët e Klinës më 14 nëntor do të vendosin mes Zenun Elezajt të AAK-së dhe Esat Racit të PDK-së për kryetar komune.

Kryetari aktual i Klinës ka marrë 43% të votave, ndërsa Raci i PDK-së 27.60%.