75 Mall Live Search
09:00 / E Mërkurë, 30 Nëntor 2022 / B O

Zyrtare: Shqipëria pa trajner, Edi Reja e mbyll me Kombëtaren kuqezi

Kombëtarja shqiptare është zyrtarisht pa trajner. Stoli i kuqezinjve ka mbetur vakant pas përfundimit të kontratës mes Edoardo Rejës dhe Federatës Shqiptarë të Futbollit.

Ndeshja me Armeninë praktikisht ishte e fundit për italianin 77-vjeçar dhe pak ditë më parë i përfundoi edhe kontratë duke dalë kështu një trajner i lirë, në pritje të bisedimeve me presidentin e FSHF-së Armand Duka.

Reja e ka drejtuar Shqipërinë në 38 ndeshje në total, ku ka arritur të regjistrojë 14 fitore, 9 barazime dhe 15 humbje, me një golavarazh të përgjithshëm 46 të shënuar dhe 45 të pësuar.

Suksesi i tij i parë ishte në Ligën e Kombeve, ku Shqipëria u ngjit nga Liga C në B. Gjithashtu në kualifikueset e Botërorit 2022, ai grumbulloi më shumë pikë se çdo trajner tjetër në grupe (18), por gjithsesi në fund u rendit i treti në grup pas Anglisë dhe Polonisë.

Ndërkohë kompeticioni i fundit që ishte Liga e Kombeve e këtij sezoni, rezultoi një dështim për teknikun italian, ku Shqipëria u rendit e fundit në grup duke mos fituar asnjë takim.