Zyrtare: “Snajperisti” vazhdon kontratën, Alban Meha mbetet te skuadra gjermane
Ish-futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Alban Meha, do të vazhdojë të jetë pjesë e CSC 03 Kassel edhe në sezonin e ardhshëm.
Klubi gjerman ka konfirmuar rinovimin me mesfushorin me përvojë, duke e cilësuar atë si një nga lojtarët kyç të skuadrës, shkruan Indeksonline
Meha iu bashkua CSC 03 Kassel rreth një vit e gjysmë më parë, ndërsa gjatë sezonit të fundit luajti rol të rëndësishëm në mbijetesën e ekipit në Hessenliga. Me golat, asistimet dhe përvojën e tij, ai ishte një nga futbollistët më të spikatur të skuadrës, duke dhënë kontribut të madh edhe në ndeshjet e balotazhit.
Pas rinovimit të kontratës, Meha u shpreh i lumtur për vazhdimin e aventurës së tij në klub.
“Fizikisht ndihem ende shumë mirë dhe vazhdoj ta shijoj futbollin. Për mua ishte e qartë se nëse do të vazhdoja të luaja, atëherë do ta bëja te CSC 03. Kemi një grup fantastik dhe mezi pres të jem sërish në fushë me bashkëlojtarët”, deklaroi ai.
/Indeksonline/

