Zyrtarë të Partisë së Erdoganit do të takohen me Öcalan
Përfaqësues të partisë së presidentit turk Erdogan do të takohen me kreun e organizatës PKK, Abdulah Öcalan.
Diçka e tillë konfirmohet nga mediat turke nga burime brenda Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim. Këto burime kanë thënë për televizionin A Haber se koha ende nuk është përcaktuar, por një takim i tillë në ishullin Imrali, ku Öcalan qëndron i burgosur, do të ndodhë.
Nga AKP shprehen se një zhvillim i tillë ndodh me qëllimin për të ndikuar pozitivisht në periudhën e tranzicionit pas përfundimit të luftimeve mes Turqisë dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.
Burimet thonë se në ishull pritet të shkojnë anëtarë të Komisionit për Demokraci, Vëllazëri dhe Solidaritet, i cili u ngrit në mesin e muajit gusht për të ndryshuar legjislacionin në lidhje me paqen mes turqve dhe kurdëve.
Mbetet ende e paqartë se cili do të jetë fati i Abdullah Öcalan dhe nëse do të ketë një lirim të tij. Në fillim të muajit gusht, PKK vendosi të shpërbëhej dhe të dorëzonte armët, çka i dha fund konfliktit turko-kurd.
Diçka e tillë ndodhi me urdhër të Öcalan, i cili ka krijuar grupimin PKK rreth 45 vjet më parë. Konflikti nisi në vitin 1984 dhe besohet se i ka marrë jetën rreth 400 mijë personave.

