Zyrtarët amerikanë zbulojnë përse u fundos nëndetësja Titan

Nëndetësja Titan e OceanGate-it u fundos gjatë udhëtimit të saj drejt rrënojave të anijes Titantik, për shkak të inxhinierisë së dobët dhe dështimeve të shumta për të testuar anijen.
Kështu thuhet në një raport zyrtar amerikan.
Titani u shkatërrua në qershor të vitit 2023, duke vrarë të pesë pasagjerët në bord, përfshirë drejtorin ekzekutiv të OceanGate-it.
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit i SHBA-së zbuloi se procesi inxhinierik pas automjetit ishte “i pamjaftueshëm”, duke rezultuar në defekte që do të thoshin se ai nuk përmbushte kërkesat e forcës dhe qëndrueshmërisë, shkruan BBC, transmeton IndeksOnline.
NTSB-ja tha se, meqenëse firma nuk e testoi në mënyrë adekuate Titanin, ajo nuk e dinte forcën e tij të vërtetë.
Gjithashtu, nuk ishte në dijeni se ishte dëmtuar dhe duhej të ishte hequr nga shërbimi para udhëtimit të saj të fundit.
Titani u zhduk në Atlantikun e Veriut, ndërsa përpiqej të zhytej drejt rrënojave të Titanikut.
Në gusht, Roja Bregdetare e SHBA-së publikoi një raport mbi shpërthimin, që zbuloi se incidenti ishte “i parandalueshëm” dhe kritikoi praktikat e sigurisë “tepër të gabuara” të OceanGate-it.
Stockton Rush, drejtori ekzekutiv i OceanGate, drejtoi anijen Titan në udhëtimin e saj të fundit.
Ndërsa disa punonjës thanë se siguria ishte një përparësi, të tjerë, përfshirë një ish-drejtor të operacioneve detare dhe një teknik, theksuan një mjedis “ku çështjet e sigurisë, veçanërisht çështjet e projektimit, injoroheshin”.