12:36 / E Shtunë, 08 Qershor 2019

Zyrtarët e G-20 diskutojnë për tregtinë dhe taksat ndaj kompanive të teknologjisë

Ministrat e financave dhe përfaqësuesit e bankave qendrore të grupit të 20 vendeve të industrializuara, kanë nisur takimet e tyre dyditore në Japoni, ku pritet të kenë në fokus tregtinë dhe politikat ndërkombëtare të taksave, përfshirë edhe ato që lidhen me gjigantët botërorë të teknologjisë.

Kyodo News, duke cituar një draft-komunikatë të siguruar, ka raportuar se anëtarët e G-20 do të pranojnë rreziqet në rritje për ekonominë globale, të paraqitura nga mosmarrëveshjet tregtare dhe pritet të bëjnë thirrje për një politikë monetare më akomoduese.

“Ka shqetësime në rritje lidhur me ndikimin e tensioneve aktuale tregtare”, tha përmes një deklarate, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, para se samiti të niste në qytetin japonez, Fukouka.

“Rreziku është që tarifat e fundit ndërmjet SHBA-së dhe Kinës, mund të zvogëlojnë edhe më tej investimet, produktivitetin dhe rritjen”, tha ajo, duke i quajtur këto tarifa si “lëndime të vetëshkaktuara”.

Grupi i ministrave të financave janë pajtuar të nisin hartimin e rregullave të përbashkëta që do të mbyllnin zbrazëtitë ligjore që gjigantët e teknologjisë i përdorin për të ulur barrën e taksave.

Facebook, Google, Amabazon dhe kompani të tjera të teknologjisë janë përballur me kritika, pasi kanë shkurtuar taksat e tyre.

Liderët e G-20 pritet të takohen më vonë gjatë këtij muaji në qytetin Osaka të Japonisë, ku presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jingping pritet të diskutojnë rreth mosmarrëveshjeve tregtare.