22:09 / E Shtunë, 02 Qershor 2018 / indeksADMonline

Zyrtarët e Leposaviqit shpenzojnë mbi 57 mijë euro për derivate

Zyrtarët e Komunës së Leposaviqit kanë shpenzuar hiq më pak se 57 mijë e 789 euro derivate për vitin 2017.

Në një raport të ZKA-së thuhet se komuna ka treguar dobësi në menaxhimin e kontratave për shpenzime të derivateve, transmeton Indeksonline.

Madje kjo komunë nuk mbanë as shënime adekuate për shpenzimet e automjeteve.

“Me rastin e furnizimeve me derivate, komuna, sipas kontratës duhej të monitorojë ndryshimet e çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare. Megjithatë, kjo nuk është bërë, ndonëse ka pasur ndryshime në çmimin e tregut, komuna gjithnjë është furnizuar me çmimin fiks për naftë prej 1.09€/L dhe për benzinë me çmim 1.10€/L. Gjithashtu, duhet të përmendim faktin se komuna nuk mbanë shënime adekuate për shpenzimet për automjetet zyrtare, zyrtarët nuk paraqesin kërkesa për përdorimin e automjeteve dhe nuk përgatisin urdhëresat për udhëtim zyrtar”, thuhet në këtë raport.

Po ashtu, sipas rregullave financiare për shpenzimet e parasë publike, duhet që çdo faturë të protokollohet dhe evidentohet.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodhur me zyrtarët e kësaj komune, transmeton Indeksonline.

“Sipas rregullës financiare nr. 01/2013 Shpenzimi i parave publike, neni 24 Pranimi dhe pagesa e faturës, secila fature e pranuar duhet të protokollohet dhe evidentohet në librin e faturave, megjithatë, komuna nuk ka zbatuar kërkesën e përmendur, e cila ka rezultuar në një regjistër të pa azhurnuar të faturave të pa paguara. Kontrollet e pamjaftueshme financiare për obligimet e pa paguara të komunës dhe mos zbatimi i rregullave financiare mund të rezultojë me pagesa të paplanifikuara me buxhetin e ardhshëm të komunës dhe/apo pagesa të dyfishta”, sqarohet tutje në raport.

Një e gjetur tjetër e identifikuar në këtë raport për vitin që lamë pas është pagesat për obligimet kontraktuale të pa përmbushura.

Kështu, kjo komunë, për ndërtimin e rrugëve lokale në qytet dhe në fshatra nga thesari është bërë pagesa prej 495 mijë e 785 euro, pavarësisht që projekti nuk është përfunduar.

“Për kontratën “Ndërtimi i rrugëve lokale në qytet dhe në fshatrat e Leposaviqit”, nga Thesari është bërë pagesë direkte në vlerë totale prej 495,785€7. Organi mbikëqyrës kishte përgatitur një raport, ku ka theksuar se punimet janë kryer. Nga vizita jonë në terren është vërejtur se furnizimi me pajisje për filtrim të ujit dhe montimi i tyre në pishinë nuk ishte kryer fare, ndërkohë që organi mbikëqyrës kishte raportuar se të gjitha punët janë kryer për këtë projekt”, thuhet tutje në këtë raport.

Ndërsa, sa i përket pagave dhe mëditjeve në vitin 2017 ishte 2,128,772€, dhe prej tyre ishin shpenzuar 2,123,298€ apo 99% e buxhetit./Indeksonline/