16:58 / E Mërkurë, 08 Nëntor 2023 / LB

Zyrtarët e VV-së thonë se prej mediave mësuan se iu është ngritur aktakuza– zyrtarisht s’kemi asgjë

Prokuroria Speciale e Kosovës dyshohet se ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka dhe Egzon Azemi.

Aktakuza ka të bëjë në lidhje me komentet e tyre ndaj gjyqtarit Mentor Bajraktari dhe prokurorit Afrim Shefkiu, në lidhje me ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj të akuzuarit për terrorizëm, Dejan Pantiq.

Ata akuzohen për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.

Lidhur me rastin janë deklaruar Arlind Manxhuka dhe Egzona Azemi.

Megjithatë, Manxhuka tha për Klankosova.tv se nuk ka pranuar asgjë zyrtarisht.

“Deri më tani nuk kam pranuar asgjë zyrtarisht. Këtë e kam dëgjuar nga lajmet që po qarkullojnë në media”, tha Manxhuka.

Ndërkaq, Egzon Azemi tha se lidhur me këtë rast kanë qenë të intervistuar.

“Ne kemi qenë të intervistuar lidhur me këtë akuzë. Por, ende zyrtarisht s’kam pranuar asgjë. Këtë e kam marrë vesh nga disa gazetarë që më kanë kontaktuar gjatë ditës”, tha Azemi.

Aktakuzë është ngritur edhe ndaj dy personave të tjerë, Q. E dhe E.Z, për veprën penale “Kanosja”, thuhet në aktakuzës e Prokurorisë Speciale.