23:30 / E Enjte, 07 Qershor 2018 / indeksADMonline

Zyrtarët policorë rrëfejnë si ia dhanë një qytetari CD-në me SMS-të e gruas së tij

Në gjykimin ku dy zyrtarë policorë po akuzohen për zbulim të fshehtësisë zyrtare është dhënë mbrojtja nga ana e të akuzuarve.

Rrahim Muja dhe Florim Krasniqi po akuzohen se në cilësinë e zyrtarëve policorë ia kanë vënë në dispozicion Dukagjin Emerllahut hyrjet dhe daljet dhe mesazhet telefonike të numrit që ishte në shfrytëzim të bashkëshortes së tij në kompensim të favorit për punësimin e familjarëve të tyre.

Gjatë seancës së sotme, i akuzuari Florim Krasniqi deklaroi se në Policinë e Kosovës është punësuar në vitin 2002, e në vitin 2014, pra në kohën kur akuzohet, ka qenë polic patrullues në Drenas.

Ai tha se informatat e marra në terren gjithmonë ia kanë raportuar hetuesve policorë.

Njëjta tha se ka vepruar edhe me rastin e Dukagjin Emerllahut. Ai tha se të njëjtin e ka njohur pasi që si polic patrullues ka pasur rastin ta ndalojë veturën e tij disa herë.

Por, një ditë, ai tha se Emerllahu i është rrëfyer për një kërcënim që po merr familja e tij.

“E di që më ka thënë dikush ma ka kërcënuar gruan dhe fëmijët përmes telefonit dhe janë duke na kërcënuar vazhdimisht. Unë i kam sugjeruar të shkojë ta raportojë rastin në stacion”, deklaroi Krasniqi.

Por, sipas tij, meqë ai nuk ka shkuar të lajmërojë rastin në stacion, këto informata i ka bartur vet te polici hetues, i akuzuari Rrahim Muja.

“Informatat filtrohen tek policët dhe e shohim se sa është e vërtetë dhe a ia vlen me u marrë me atë rast. Informatat ia kam dorëzuar policit hetues, Rrahim Muja”, tha i akuzuari Krasniqi.

Ai tha se me raportimin e rastit te polici hetues edhe përfundojnë autorizimet e një polici patrullues.

Pas kësaj, i akuzuari u pyet edhe për një takim të zhvilluar mes tij, Rrahim Mujës dhe Dukagjin Emerllahut në Prishtinë.

“Ka qenë një takim i rastësishëm. Unë dhe Rrahimi kemi qenë në Prishtinë për punë të ndryshme dhe atë ditë Rrahimi ka pasë detyrë me marrë edhe postën për ta sjellë në stacion të Drenasit. Në atë zarf kishte qenë edhe urdhëresa për numrin e caktuar. E kemi thirrë me pi kafe Dukagjinin me qëllim që ta pyesim për ndonjë informatë shtesë”, deklaroi ai.

Në këtë takim pretendohet se dy zyrtarët policorë i kanë treguar Dukagjin Emerllahut hyrjet- daljet e bisedave telefonike të bashkëshortes.

“Kemi qëndruar nja gjysmë ore, por, gjatë bisedës i kemi treguar se tash e këqyrim edhe CD- në e numrave se kush e ka thirrë. Meqë ai e ka pasë një llaptop me vete në kerr, e kanë lëshuar CD- në në llaptop. Unë nuk e kam shti CD- në në llaptop”, vazhdoi i akuzuari duke theksuar se ai personalisht nuk e ka siguruar atë CD.

I pyetur se si rezultat i këtij raporti zyrtar a u është ofruar atyre ndonjë favor në kompensim, i njëjti u përgjigj: “Jo, asnjëherë”.

“Ku e morët ju atë të drejtë kur ia keni dhënë ju përgjimet e fshehta Dukagjin Emerllahut?”, ishte pyetja pasuese e prokurores Ferdane Sylejmani.

“Unë nuk i kam dhënë përgjime dhe me sa di nuk ka pasë përgjime aty. Përgjimet i bën Policia në kuadër te shtabit, stacionet policore nuk bëjnë përgjime ngase nuk kemi të drejtë e as mundësi”, u përgjigj i akuzuari duke aluduar se hyrjet- daljes e bisedave telefonike nuk mund të konsiderohen si përgjime.

Në seancën e radhës e cila u caktua për më 2 korrik do të jepet fjala përfundimtare.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Dukagjin Emerllahu, i akuzuar për ushtrim ndikimi.

Sipas aktakuzës, Rrahim Muja, si zyrtar policor hetues dhe Florim Krasniqi, zyrtar policor patrullues, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë pa autorizim, akuzohen se Dukagjin Emerllahut, i cili është paraqitur si biznesmen, ia kanë vënë në dispozicion hyrjet dhe daljet dhe mesazhet telefonike të numrit që ishte në shfrytëzim të bashkëshortes së tij, V.Z.

Këto të dhëna sipas aktakuzës, ia kanë dhënë Emerllahut pasi i kanë nxjerrë nga PTK.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kjo CD është gjetur pas bastisjes në shtëpinë e Emerllahut.

Ndërkaq, prokuroria ngarkon Emerllahun se në janar të viti 2014, ishte takuar me dy zyrtarë policorë, Florim Krasniqi dhe Rrahim Muja, ku edhe ishte prezantuar si biznesmen.

Emerllahu pretendohet të ketë kërkuar që numrin e telefonit të bashkëshortes së tij ta vendosin nën masat e fshehta, si dhe kishte kërkuar që të gjitha hyrje-daljet e sms-ve t’ia dorëzojnë përmes një CD-je.

Sipas prokurorisë, këto favore i kishte kërkuar duke u premtuar policëve punësim për familjarët e tyre.

Aktakuza thotë se gjashtë muaj pas këtij takimi, pas një kontrolli të Policisë në banesën e Emerllahut, ishte gjetur një revole e tipi “Beretta”, së bashku me një karikator dhe 14 fishekë, të cilat dhe ishin konfiskuar./Kallxo.com/