75 Mall Live Search
15:13 / E Martë, 06 Janar 2026 / Z S

Zyrtarët zviceranë pranojnë se nuk u kryen inspektime në barin që u përfshi nga zjarri

Autoritetet zvicerane kanë pranuar se inspektimet për siguri nga zjarri nuk ishin kryer në pesë vjetët e fundit në barin ku 40 persona vdiqën pas shpërthimit të flakëve në Vitin e Ri.

Zjarri në barin Le Constellation në një resort skijimi në Crans-Montana la të plagosur 116 persona, 83 prej të cilëve ende janë të hospitalizuar. Shumica e të vdekurve ishin adoleshentë.

Prokurorët kanë thënë se besojnë se zjarri nisi kur njerëzit po festonin Vitin e Ri dhe kishte shampanja me fishekzjarrë, duke ndezur shkumën izoluese në tavanin e podrumit të barit.

Edhe pse inspektimet, përfshirë ato për sigurinë nga zjarri, janë kryer në vitet 2016, 2018 dhe 2019, “inspektimet periodike nuk u kryen në periudhën mes vitit 2020 dhe 2025. Për këtë na vjen keq shumë”, tha kryetari i Crans-Monatanas, Nicolas Feraud, në një konferencë për media pesë ditë pas zjarrit vdekjeprurës.

Ligji kërkon që departamenti komunal i zjarrit të kryejë inspektime vjetore në vendet e hapura për publikun, tha ai, duke pranuar se nuk e dinte pse inspektimet nuk ishin kryer.

Në një deklaratë, komuna tha se zbuloi këtë dështim pasi shqyrtoi dokumentet e dërguara te prokuroria e kantonit Uallis.

“Gjykatat do të vendosin për ndikimin që pati një dështim i tillë në zinxhirin e ngjarjeve që çuan në tragjedi. Komuna do të marrë përgjegjësinë e plotë sipas vendimit të gjykatave”, u tha në njoftim.

Këshilli tha se do të angazhojë një agjenci të jashtme të specialistëve për të inspektuar të gjitha vendet publike dhe do të ndalojë përdorimin e pajisjeve piroteknike brenda ambienteve të mbyllura.

Çifti francez Jacques dhe Jessica Moretti janë pronarë dhe menaxherë të Le Constellation, i cili ishte i mbushur me të rinj që festonin kur zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit të së enjtes.

Ndaj tyre ka nisur një hetim penal. Çifti akuzohet për vrasje nga pakujdesia, lëndime trupore nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia.

Le Constellation u themelua në vitin 1967. Dokumentet komunale përmendin një kapacitet maksimal prej 100 personash në katin përdhesë dhe 100 në podrum, thanë autoritetet.

Autoritetet në Zvicër kanë njoftuar se mosha mesatare e personave që vdiqën nga zjarri ishte 19. Tetë nga viktimat ishin nën moshën 16-vjeçare.

Shumica e të vdekurve ishin zviceranë, nëntë francezë dhe gjashtë italianë.

“Kjo tragjedi ka mundur të shmangej”, tha në fillim të javës ambasadori italian në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado./Indeksonline/