Zyrtari amerikan: Pandemia nuk ka përfunduar

Këshilltari kryesor i Shtëpisë së Bardhë për Çështjet e Shëndetit Publik Dr. Vivek Murthy tha të dielën se ai është i shqetësuar rreth numrit në rritje të rasteve të reja të koronavirusit në vend. Sipas tij, një pjesë të fajit lidhur me situatën e kanë kompanitë e medias sociale, që nuk kanë bërë sa duhet, siç tha ai, për të hequr informacionet e rreme mbi nevojën për t’u vaksinuar.
“Jam i shqetësuar rreth asaj që po shohim“, tha Murthy për një program televiziv të rrjetit “Fox News”, ndërsa në vend po diagnostikohen rreth 29,000 raste të reja çdo ditë, afërsisht në të njëjtin nivel si në prillin e vitit 2020, kur pandemia po përhapej për herë të parë në të gjithë vendit. Shqetësim përbën kryesisht varianti shumë ngjitës i koronavirusit, ai Delta.
“Pandemia nuk ka mbaruar. Lajm i mirë është se të vaksinuarit vazhdojnë të jenë ende shumë të mbrojtur“, tha Murthy.
Por ai vuri në dukje se 95% e rasteve të vdekjeve që ndodhin aktualish në SHBA (më shumë se 250 në ditë), ndodhin në mesin e njerëzve që nuk janë vaksinuar.
Duke i bërë jehonë komenteve të fundit të Presidentit Joe Biden, Murthy tha se njerëzit po “përmbyten me keqinformim” lidhur me vaksinat, ku thuhet se ato janë të pasigurta ose të panevojshme.
Javën e kaluar Presidenti Biden tha se keqinformimi i publikuar në faqet e mediave sociale “po vret njerëz”, duke shtuar “se e vetmja pandemi që kemi në vend është ajo mes të pavaksinuarve”.