75 Mall Live Search
23:55 / E Premte, 02 Janar 2026 / F.R

Zyrtari i lartë iranian: Ndërhyrja e SHBA-ve në protesta do të shkaktonte kaos rajonal

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rritur ndjeshëm pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërcënoi me ndërhyrje nëse autoritetet iraniane përdorin forcë vdekjeprurëse kundër protestuesve paqësorë.

Këshilltarë dhe zyrtarë të lartë iranianë reaguan ashpër ndaj komenteve të Trumpit, duke paralajmëruar se çdo ndërhyrje amerikane në çështjet e brendshme të Iranit do të përbënte shkelje të një “vije të kuqe”.

Këshilltari i lartë i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Larijani, ka deklaruar se një ndërhyrje e Shteteve të Bashkuara në protestat në Iran do të çonte në kaos në të gjithë rajonin. Sipas tij, siguria kombëtare e Iranit nuk mund të përdoret për “kërcënime aventureske”, ndërsa paralajmëroi se një ndërhyrje e SHBA-ve do të destabilizonte gjithë rajonin dhe do të dëmtonte interesat amerikane.

Protestat më të mëdha në Iran në tre vitet e fundit janë shndërruar në dhunë në disa provinca, duke lënë disa persona të vdekur.

Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se, nëse Irani qëllon dhe vret në mënyrë të dhunshme protestues paqësorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijnë “në ndihmën e tyre”.

Jemi të armatosur dhe gati për veprim,” shkroi ai në një postim në Truth Social.

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të sigurisë shënojnë një përshkallëzim të ndjeshëm të trazirave që janë përhapur në mbarë vendin që nga e diela, kur tregtarët nisën protestat për shkak të mënyrës se si qeveria po e menaxhon rënien e fortë të monedhës dhe rritjen e shpejtë të çmimeve.

Siç shkruan The Guardian, presidenti iranian Masoud Pezeshkian fillimisht u shpreh i gatshëm për dialog dhe u bëri thirrje institucioneve të dëgjojnë kërkesat legjitime të protestuesve, por deklaratat e fundit të Gardës Revolucionare tregojnë një linjë më të ashpër kundër çdo ndërhyrjeje të huaj apo përpjekjeje për destabilizim.

Këto zhvillime vijnë në një moment delikat për marrëdhëniet Iran–SHBA, të cilat janë përkeqësuar edhe më tej pas paralajmërimeve të Washingtonit për veprime ushtarake nëse Teherani rindërton programin e tij bërthamor. Irani, nga ana e tij, ka mohuar pasurimin e uraniumit dhe ka sinjalizuar gatishmëri për negociata me Perëndimin.