75 Mall Live Search
13:56 / E Mërkurë, 28 Gusht 2019 / indeksADMonline

Zyrtari i PSD-së krahason aderimet e VV-së me ato të para një kohe me PDK-në

Zyrtari i Partisë Social Demokrate, Zgjim Hyseni, ka krahasuar aderimet e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje me ato të para një kohe në PDK.

Ai thotë se sipas të gjitha gjasave VV-ja këta hapa i bën për “interesa madhore”

“Vlorat, Petritat e Blerandat e Albinit. Nga shefi te baba. Ma mirë shef, të pakten kjo është marrëdhënie kontraktuale. Askush s’mund të pyesë as kërkojë argumentim pse baba? Pyetja s’ka kuptim, një superego e tillë nuk lejon ekzistencë as terren diskursiv të jashtëm. Është veç një greminë që askush s’guxon ta shikojë”, ka shkruar ai

Postimi i plotë:

Aderon, aderon…fluturon, fluturon

Njëri e do Kosovën si Republikë Dardane, tjetri nën modelin e konservatorizmit republikan, ka që duan ishull filantropie, kurse dikush thjesht e meriton sepse ka kulturë dhe është i bukur. O burra te tepsia…

Vlorat, Petritat e Blerandat e Albinit. Nga shefi te baba. Ma mirë shef, të pakten kjo është marrëdhënie kontraktuale. Askush s’mund të pyesë as kërkojë argumentim pse baba. Pyetja s’ka kuptim, një superego e tillë nuk lejon ekzistencë as terren diskursiv të jashtëm. Është veç një greminë që askush s’guxon ta shikojë.

Mikroborgjezia e Prishtinës ka qenë gjithmonë me vonesë sepse kurrë nuk ka guxuar. Nuk janë budallenj, tamam puna me e marrë malin ata e me shku ne UÇK. Ama kur PDK-ja i afrohet pushtetit, për interesa të vendit, për interesin madhor të popullit e ku ta di unë se për çfarë interesa tjera, hyjnë në PDK. Sadopak.

Sipas të gjitha gjasave për këto interesa madhore po hyjnë sot në VV. Këtu kemi qenë prej vitit 2005. Atëherë kanë pasë punë tjera. Është dashtë me marrë mijëra euro rroga nëpër OJQ edhe me i komentu me përçmim punësimet e pakulturuara e nepotiste nëpër institucione. Me kriju edhe ngapak kapital simbolik me këtë rast. Pse nuk shkojnë në LDK athua? Sepse aty nuk e kanë bash lehtë me u zgjedhë. Garancë, siguri, rehati, zero rrezik. Kjo është bota e tyre. Shumë mirë shkoni në VV, lehtë bëheni deputetë. Hajro, bash me ta dashtë ti mundesh edhe ministër. Veç aman, mos e bëni për Kosovën. Nuk do të digjet Kosova për ju. Në fakt, po të ishte për ju shkrumb do të ishte.

Ka shume kohë që mendoj se VV tashmë ka përfunduar si sekuencë. Nuk po i atribuoj asgjë ndryshe pjesës së ndarë me këtë rast. Thjesht po them se angazhimet e fundit flasin për normalizim e rehati. Kur ishte tërhequr nga pozita e kryetarit, Kurti thoshte se VV është subjekt i jashtëzakonshëm. Siç duket është kthyer për ta shkelur e konformuar. VV edhe mund të qeverisë ndonjë ditë, por nga pikëpamja e përparimit shoqëror, ajo është punë e kryer. Indikatori “aderim” nuk flet për ndonjë gjë tjetër; me indikatorin “rezistencë” nuk e gjejmë asnjë guri të hedhur, as vezë bile; paramendo, kanë vendosur të mos e thonë asnjë fjalë për dialogun. Për rrezikun e madh të ndarjes së dyfishtë, siç e thoshin ata, të veriut e të Luginës.

Mos harroni, historia nuk përsëritet njejtë. PDK e kishte mundur në terren LDK-në, e kishte dominuar dhe poshtëruar, për ta marrë pastaj në koalicion. Këta i janë nënshtruar tërësisht, në mënyrë perverse bile. Siç duket do të mbeten të lagur…

Aderon, aderon, fluturon, fluturon