18:13 / E Enjte, 17 Mars 2022 / LB

Zyrtari turk flet për takimin Putin-Zelensky nëse arrihet marrëveshja

Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu u takua sot në Lviv me homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba, një ditë pas vizitës në Moskë, ku u takua me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Çavuşoğlu tha se nëse arrihet një marrëveshje ekziston mundësia e një takimi ndërmjet presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus Vladimir Putin.

Ai tha gjithashtu se shpresat e tij për një armëpushim u rritën pas takimit me të dyja palët, megjithëse “është e vështirë të flitet për këtë kur bëhet fjalë për luftën”.

Ai shtoi se Ukraina kishte sugjeruar Turqinë dhe Gjermaninë si vende garantuese në një “marrëveshje kolektive të sigurisë” të propozuar.

“Në bisedimet e mia të djeshme në Moskë, pashë se Federata Ruse nuk kishte asnjë kundërshtim për këtë dhe se ata mund ta pranonin një propozim të tillë”, tha Çavuşoğlu.

Ai theksoi se një marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët dhe popullin e tyre.

Çavuşoğlu tha gjithashtu se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan bisedoi me Putin sot.

Sipas Drejtorisë së Komunikimeve të Turqisë, “Erdoğan përsëriti ofertën e tij për të pritur Putin dhe Zelensky në Stamboll ose Ankara” gjatë bisedës së tij telefonike, duke thënë se “konsensusi për disa çështje mund të kërkojë bisedime në nivel lidershipi”.

Presidenti turk theksoi gjithashtu nevojën e “vlerësimit të situatës humanitare në terren” dhe të “korridoreve humanitare për të funksionuar efektivisht në të dy drejtimet”, transmeton CNN.