22:21 / E Mërkurë, 21 Mars 2018 / indeksADMonline

29 deputetë munguan në votimin e demarkacionit

Me 80 vota pro dhe 11 kundër, deputetët e Kuvendit të Kosovës ratifikuan marrëveshjen e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas pesë tentimeve për të kaluar këtë marrëveshje, në fund u bënë votat dhe projektligji kaloi. Në seancë ishin gjithsej 91 deputetë nga grupe të ndryshme parlamentare.

29 është numri i deputetëve të cilët munguan në këtë seancë të jashtëzakonshme. Disa munguan me dëshirë e disa përfunduan në pranga të autoriteteve për hedhje të gazit lotsjellës.

Në fund, ratifikimin e marrëveshjes kufitare me Malin e Zi e përshëndetën menjëherë krerët e vendit, përfaqësuesit e huaj si dhe përfaqësuesit e vendeve fqinje të Kosovës.

Arritja e marrëveshjes i hap rrugën qytetarëve të Kosovës drejt liberalizmit të vizave për udhëtim në zonën Shengen duke mos harruar edhe përmbushjen e kushtit tjetër, atë të luftimit të krimit dhe korrupsionit./Indeksonline/