09:19 / E Premte, 09 Shkurt 2018

ATK paralajmëron masa ndëshkuese ndaj atyre që nuk deklarojnë të ardhurat

Administrata Tatimore e Kosovës rikujton të gjithë personat fizikë joafaristë, personat fizikë afaristë dhe personat juridikë, se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale në mënyrë reale dhe në kohë, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin tatimor.

“Aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë tatimin dhe Kontributet Pensionale”, thuhet në një komunikatë të ATK-së.

Për personat fizik joafaristë, personat fizikë afaristë dhe personat juridikë, të cilët nuk deklarojnë të ardhurat e krijuara dhe nuk paguajnë tatimet dhe Kontributet Pensionale, ATK paralajmëron se do të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor.

 ATK u bën thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor.

“Me kryerjen e detyrimeve tatimore, kontribuoni direkt në financimin e programeve qeveritare siç janë: ofrimi i shërbimeve publike, arsimim me standarde të larta, mirëqenie shëndetësore dhe sociale, mbrojtje ligjore dhe siguri, si dhe infrastrukturë të përgjithshme për një mirëqenie më të mirë ekonomike dhe shoqërore”, thotë ATK.

Temat: