11:23 / E Enjte, 18 Janar 2018 / indeksADMonline

Bie numri i veturave të importuara, shkak ligji i ri

Nga 1 janari i këtij viti, nuk do të mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet dhe që nuk plotësojnë standardin Euro 4 për normat e shkarkimeve në ajër, kufizim ky i përcaktuar me ligjin për automjete.

Si rrjedhojë, deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ka pasur rritje të madhe të numrit të veturave të importuara në Kosovë,  ku sipas të dhënave të siguruara nga Dogana e Kosovës janë zhdoganuar rreth 38.000 vetura.

Krahasuar me statistikat e vitit 2016 numri i veturave të zhdoganuara është rritur për 35 për qind në vitin 2017.

Por, siç duket ky ligj ka ndikuar që numri i veturave të zhdoganuara të bie dukshëm gjatë këtij fillim viti.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se deri më tash janë zhdoganuar vetëm 456 vetura.

Ai tha për Indeksonline se hyrja në fuqi e ligjit të ri ka ndikuar që numri i veturave të zhdoganuara të bije krahasuar me ritmet e dhjetorit.

“Sigurisht që ka ndikuar ligji i ri që numri i veturave të zhdoganuara në bije”, tha Stavileci.

Ndryshe, ligji i ri nuk i prek disa kategori të caktuara, si personat me nevoja të veçanta dhe invalidët e luftës./Indeksonline/RÇ/