18:58 / E Hënë, 11 Qershor 2018

Dyfishohet numri i rasteve nga pickimi i rriqrave në Malishevë

Pickimit nga rriqrat edhe sivjet po del të jetë një problem shqetësues në disa komuna të Kosovës.

Për fat të mirë, deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit me ethet hemorragjike, por pickimi nga rriqrat është dyfishuar, në krahasim me vitin e kaluar.

Malisheva ashtu si edhe vitet tjera mbetet nga komunat më të prekura nga pickimi i rriqrave.

Një banor, që ka sjellë vajzën e kushëririt në QKMF të Malishevës, tregon për RTV Dukagjinin, rrezikun që po u kanoset banorëve të kësaj ane nga rriqrat.

“Rreziku nga rriqrat është i pashmangshëm, por ju bëj lutje institucioneve të bëjnë më shumë sepse çdo herë e më shumë banorët janë të rrezikuar”, shprehet i shqetësuar Blerim Krasniqi.

Shefi i urgjencës në QKMF të Malishevës, Urim Thaçi,  shprehet se është dyfishuar numri i pickimit, por fatmirësisht ende nuk ka të infektuar me virus.

“Gjatë këtij viti kemi pasur 697 raste. Në krahasim me vitin e kaluar numri i të pickuarve është rritur, por janë udhëzuar vetëm tri raste për trajtim të mëtejshëm. Nuk kemi hasur në asnjë rast me virus”, ka thënë Thaçi.