07:55 / E Mërkurë, 11 Prill 2018 / indeksADMonline

Filloi kursi i dytë me trajnerë për Licencën C të UEFA-s

Vetëm pak ditë pas përfundimit të suksesshëm të kursit të parë për certifikimin e trajnerëve me Licencën C të UEFA, sot, në Banjën e Pejës “ONIX”, u bë hapja e kursit të dytë për Licencën  C të UEFA-s, që organizohet nga Federata e Futbollit e Kosovës në bashkëpunim me Federatën Gjermane të Futbollit. Në kursin e dytë po marrin pjesë 24 trajnerë, prej tyre dy femra. Ky kurs do të mbahet në dy faza me ligjërata dhe punë praktike, prej 10 prillit deri më 14 prill dhe prej 7 majit deri më 11 maj, kurse vijuesit e këtij shkollimi do t’i nënshtrohen edhe testeve. Në ditën e parë të këtij kursi, fillimisht të pranishmit i ka përshëndetur dhe u ka uruar sukses drejtori teknik i FFK-së, Michael Nees, i cili edhe i ka njoftuar pjesëmarrësit me rregullat dhe përmbajtjen e këtij kursi, derisa ka thënë se ky shkollim është i rëndësisë së veçantë për faktin se tashmë FFK ka hyrë në sistemin e edukimit të UEFA-s dhe po u jep mundësinë trajnerëve për t’u avancuar në këtë profesion.