10:44 / E Premte, 26 Janar 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Është herët të marr vendim për shkarkim të Gashit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Hradinaj i është përgjigjur interpelancës së tij për gjuajtjen me armë nga zv/kryeministri Dardan Gashi.

Ai ka thënë në seancën e sotme se lënda për të cilën është thirrur interpelanca qëndron kështu: “Policia ka intervistuar pesë persona për këtë lëndë, ndër ta edhe Dardan Gashin, ka konfiskuar dy revole të modifikuara për gjuajtje dhe kjo lëndë është në prokurorinë e Gjakovës, sepse është në juridiksionin e saj”, raporton Indeksonline.

“Nuk është e hijshme të ekspozohet para publikut gjuajtja me armë. Por janë disa tradita që nuk janë zhdukur krejtësisht, por tani duhet të dakordohemi se ligji në fuqi është dhe kemi disa përgjegjësi. Pikëpamjet e mia janë pak më tradicionale dhe mbaj përgjegjësi në postin që kam.

Ky rast dhe kjo interpelancë është një porosi që të gjithë duhet të korrigjohemi që të mbajmë traditën, por jam dakord që Kosova me traditën e saj të veproj në përputhje me kushtetutën dhe ligjet.

Nuk dua të paraqes pozicion të atij që është befasuar me këtë që ka ndodh, por e marr si mundësi që trajtimi i kësaj çështje të kthehet në vëmendje dhe të jemi të orientuar nga ligji e kushtetuta”, tha Haradinaj.

Duke komentuar kërkesën e LDK-së për shkarkim të Gashit, Haradinaj tha se kërkesa për masa tjera është hershme, për shkak se është në proces ligjor dhe nuk parashihet të marrim ne vendime. /Indeksonline/