21:22 / E Martë, 20 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Java vendimtare e demarkacionit

Koalicioni qeverisës është duke bërë përpjekje të siguroi votat për ratifikimin e marrëveshjes së re të demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Qeveria e Kosovës miratoi sot ndryshimin dhe plotësimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kjo erdhi pas zhvillimeve të reja dhe marrëveshjes së arritur mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, e cila mundëson korrigjime nëse gjenden gabime në marrëveshjen paraprake.

Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar deputetë të koalicionit qeverisës. Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka deklaruar se për ta votuar demarkacionin duhen saktësisht 80 vota dhe që partnerët e koalicionit janë angazhuar për të siguruar numrin e nevojshëm të votave.

Sipas saj miratimi i demarkacionit në Kuvend e hap perspektivën evropiane të Kosovës sidomos në liberalizimin e vizave.

“Partnerët e koalicionit po angazhohen për të siguruar numrin e nevojshëm të votave. Si kryetare e Komisionit për Integrime duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë e ratifikimit të kësaj marrëveshje mendoj se seanca duhet të mbahet kur të sigurohen votat e mjaftueshme”, ka thënë Deliu.

Sipas saj, kjo javë do të përcaktojë shumëçka.

“Demarkimi i kufirit me Malin e Zi është ndër kriteret kyçe të lëvizjes së lirë, andaj si i tillë miratimi i tij në Kuvend, e hap perspektivën evropiane të Kosovës, sidomos në liberalizimin e vizave”, ka përfunduar Deliu.

Kurse deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma Socialdemokrate, Haxhi Shala ka theksuar se procedurat tashmë kanë filluar nga Qeveria e Kosovës dhe se mbetet nga Kryesia e Kuvendit të vendosë lidhur me mbajtjen e seancës.

“Besoj se me këtë aneks-marrëveshje ose me këtë deklaratë të nënshkruar koalicioni do të ketë votat e mjaftueshme për të kaluar demarkacionin, por mbetet që secili deputet të vendosë për veten”, ka thënë Shala për Indeksonline.

Sipas tij në bazë të të gjitha takimeve dhe bashkëbisedimeve që kanë pasur brenda dhe jashtë vendit me ndërkombëtarët, kalimi i demarkacionit do të përshpejtojë ose do ta bëjë të mundur çështjen e liberalizimit të vizave brenda një viti./Indeksonline/