17:31 / E Martë, 06 Mars 2018 / indeksADMonline

Kjo komunë merr vendim: Mësuesve për 7 mars u dhurohen vetëm lule, jo dhurata tjera!

Drejtoria e Arsimit u ka dërguar nga një letër të gjitha shkollave ku u ka kërkuar që mësuesit të mos pranojnë dhurata nga nxënësit në Ditë e Mësuesit – 7 Marsin.

”Mjafton nga një lule, jo më shumë”, është apeli ndaj drejtorëve, sipas një dokumenti i cili ka qarkulluar gjatë ditës në shkolla të Prishtinës.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, ka thënë ka thënë se me 7 mars, mësimdhënësit e të gjitha shkollave në kryeqytet mund të marrin si dhurata nga nxënësit vetëm lule.

“Jo unaza dhe akessorë të tjerë. Kjo për shkak se fëmijët vihen në siklet, për të mbledhur para për t’iu blerë mësimdhënësve të tyre dhurata të shtrenjta në Ditën e Mësuesit”.

“Ka shumë nxënës që nuk qëndrojnë mirë financiarisht. Kjo është arsyeja se pse DKA ka marrë vendim që nesër mësuesve të mos u dhurohet dhurata të shtrenjta”, ka thënë ai.

”Në të kaluarën, 7 dhe 8 Marsi më shumë janë perceptuar si ditë kur mësimdhënëset e të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar, sidomos edukatoret dhe mësueset e nivelit 0 dhe 1, janë pajisur me dhurata të ndryshme nga nxënësit, duke ngarkuar buxhetin edhe ashtu shumë modest të prindërve të fëmijëve tanë”, shkruan në dokumentin që ka lëshuar komuna.

“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës fton të gjithë  prindërit që të mos investojnë në dhurata të ndryshme, përveç luleve, dhe ka paralajmëruar drejtorët e shkollave se dukuria e marrjes së dhuratave nga fëmijët është jo etike dhe e ndaluar”.

Ndërkohë më këtë rast, Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinës, u ka uruar të gjithë mësimdhënësve festat 7 dhe 8 Marsin.

Temat: