15:44 / E Enjte, 21 Qershor 2018 / indeksADMonline

Kompanitë ajrore kundër Trumpit: Nuk i transportojmë fëmijët e ndarë nga familjet

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka marrë disa njoftime nga kompanitë më të mëdha ajrore në vend.

‘American Airlines’ është linja ajrore më e madhe në Amerikë. Ata dolën të mërkurën me një deklaratë duke njoftuar qeverinë federale se nuk dëshirojnë që ndonjë fëmijë i ndarë nga familjet e tyre në kufirin SHBA-Meksikë, të transportohet në aeroplanët e tyre, shkruan IndeksOnline.

“Procesi i ndarjes së familjes që është publikuar gjerësisht nuk është aspak i harmonizuar me vlerat e American Airlines – ne i sjellim familjet së bashku, jo veç e veç”, tha në deklaratë kompania ajrore, me qendër në Fort Worth të Teksasit.

Kësaj iniciative iu është bashkuar edhe ‘United Airlines’.

Të mërkurën kompania dha një deklaratë përmes të cilës njoftuan qeverinë amerikane se nuk do t’i përdorin aeroplanët e tyre për t’i transportuar fëmijët që janë ndarë nga familjet e tyre.

“Qëllimi i përbashkët i kompanisë sonë është lidhja e njerëzve dhe bashkimi i botës,” tha në deklaratë Drejtori i Përgjithshëm i United, Oscar Munoz. “Kjo politikë dhe ndikimi i saj në mijëra fëmijë është në konflikt të thellë me atë mision dhe ne nuk duam të jemi pjesë e saj.”

American Airlines, United Airlines dhe disa transportues të tjerë të mëdhenj të SHBA janë nën kontratë me qeverinë për të ofruar shërbime transporti për qëllime të panumërta, duke përfshirë udhëtimet e punonjësve, madje edhe deportimet. /IndeksOnline/