15:35 / E Martë, 05 Qershor 2018 / indeksADMonline

Komuna e Istogut e zhytur ne shkelje, Auditori zbulon shumë parregullësi

Rekomandimet e zyrës Kombëtare të Auditorit gjatë kontrollit të Pasqyrave Vjetore Financiare kanë gjetur përregullësi të mëdha financiare në komunën e Istogut.

Në një raport të fundit janë adresuar gjashtëmbëdhjetë dobësi që lidhen kryesisht me pasqyrat financiare duke përfshirë dhe obligimet tjera financiare dhe me mungesën e ndërmarrjes së masave për veprim nga ana e Komunës kundrejt rekomandimeve të njëjta që janë dhënë nga auditori edhe në vitet paraprake.

Në komunën e Haki Rugovës sipas raportit thuhet se ka ngecje në menaxhim, në nënshkrimin e kontratave, mosverfikim të pronave, pagesa pa dëshmi,nivel i ulët i buxhetit dhe në disa lëmi të tjera, shkruan Indeksonline.

Më poshtë po listojmë vetëm disa prej mangësive të identifikuara nga Auditori i Përgjithshëm për komunën e Istogut:

– Nivel i ulët i realizimit të buxhetit për investime kapitale në Komunën e Istogut

– Niveli i ulët i ekzekutimit të buxhetit në kategorinë e investimeve kapitale, në vetëm 76%. Auditori ka konstatuar se ky nivel i ulët është si rezultat i vonesave në zhvillimin e procedurave të prokurimit.

– Mos verifikimi i gjendjes aktuale të pronave

– Komuna nuk ka bërë verifikimin e 1/3-së të pronave. Nga 10,405 prona të evidentuar në bazën e të dhënave mbi tatimin në pronë, komuna ka arritur të verifikojë vetëm 395 prona aktuale të regjistruara, ose vetëm 4%.

– Menaxhim joadekuat i pronave komunale të dhëna me qira
Komuna ka dhënë me qera 61 prona komunale për shfrytëzim të përkohshëm, duke anashkaluar procesin e ankandit publik, si dhe përcaktimi i çmimit të qerasë në këto raste nuk është bërë në përputhje me Rregulloren. Gjatë këtij viti, 36 shfrytëzues të pronës komunale, nuk kanë paguar fare qira dhe komuna nuk ka ndërmarr asnjë veprim për inkasimin e këtyre mjeteve. Për më tepër, në 11 raste kontratat për shfrytëzim të pronës nuk ishin valide, pasi që ka skaduar afati i kontratës. Vetëm në një rast gjatë vitit 2017 është vazhduar kontrata për shfrytëzimin e pronës duke u thirrur në ligjin e vjetër, i cili ishte shfuqizuar kohë më parë.
-Dobësi në angazhimin e stafit sipas marrëveshjeve për shërbime të veçanta

– Komuna ka angazhuar 49 zyrtarë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, ku janë identifikuar dobësi si në vijim:

– Në 28 raste periudha e angazhimit të zyrtareve është më i gjatë se sa afati i përcaktuar me rregulla, mbi gjashtë muaj;

– Në tri raste, komuna nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të rekrutimit konform kërkesave ligjore; dhe
Pagesat mujore për këta zyrtarë, në asnjë rast nuk kanë të bashkangjitura dëshmi apo raport, për të verifikuar se janë realizuar apo pranuar shërbimet konform kontratës.

-Hyrja në obligime pa disponueshmëri të mjeteve buxhetore

– Mangësi në vendosjen e kritereve tek aktiviteti i prokurimit

– Nënshkrimi i kontratave pa mbulesë të fondeve për vitin pasues

– Mosrespektim i legjislacionit përkatës në formimin e komisioneve të vlerësimit.

– Pagesa pa dëshmi të mjaftueshme

– Vonesa në pagesën e faturave dhe mos raportim i obligimeve

– Nivel i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga vitet paraprake – Prioritet i lartë.

Ju kujtojmë se shumica e këtyre dobësive në keq-qeverisje janë adresuar edhe në raportet e viteve paraprake, mirëpo që nuk janë ndërmarrë veprimet për përmirësim nga ana e Komunës së Istogut. Kjo dëshmon për papërgjegjësinë e vazhdueshme të kryetarit të komunës dhe ekipit të tij.

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm na shpërfaq katërçipërisht paaftësinë menaxhuese, ngarendjen pas interesave personale dhe abuzimin me parat dhe resurset publike./Indeksonline/